Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite është rritur në 2.750, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se numri i të plagosurve është rritur në 9.700.
Në një deklaratë të mëparshme, ministria tha se mbi 750 fëmijë ishin në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite.
Autoritetet shëndetësore thanë gjithashtu se ka 58 të vrarë në Bregun Perëndimor, si dhe të paktën 1.250 të plagosur.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.