Pas ditësh pasiguri lidhur me objektet fluturuese në hapësirën ajrore amerikane, Shtëpia e Bardhë mbështet teorinë se balonat, mund të kenë pasur qëllime beninje. Sipas zëdhënësit John Kirby nuk ka prova që ato të lidhen me aktivitet spiunazhi nga Kina, dhe se ka gjasë të kenë të bëjnë me entitete komerciale ose kërkimore.
Pas një takimi të klasifikuar informues në Capitol Hill, senatorët nga të dyja partitë janë më të relaksuar por megjithatë akuzuan administratën Biden se nuk kishte qenë transparente.
“Takimi informues ishte i frytshëm. Kam besim se ky nuk ishte një sulm ndaj vendit, por vendit di t’i bënte mirë të kishte një president që shpjegon se çfarë po ndodh”, tha senatorja Lindsey Graham. Episodet e objekteve të rrezuara nga ushtria amerikane, nxjerrin në pah edhe ndërlikime të reja.
Për shembul çfarë ndodh nëse një avion luftarak nuk e shënjestron objektivin. Gjenerali Mark Milley konfirmoi se raketa e parë nuk e kishte qëlluar dot objektin mbi liqenin Huron.
“Raketa ra pa pasoja në ujërat e liqenit Huron. Ne e gjurmuam gjatë gjithë kohës, dhe u siguruam që të mos kishte asnjë problem për trafikun ajror”, tha gjenerali Mark Milley.
Në një regjistrim të ri audio, dëgjohen pilotët teksa përpiqen të kuptojnë se çfarë ishte objekti mbi liqen.
“Duket si një objekt i errët. Mund të shihen disa kavo ose diçka që varet poshtë tij. Nuk e kuptoj nëse po mban diçka..”
SHBA dhe Kanadaja nuk kanë rekuperuar ende mbetjet e 3 objekteve të fundit të rrëzuara dhe sipas një zyrtari të lartë në SHBA mund të mos e bëjnë kurrë.
“Janë në terrene shumë të vështira; I dyti ra në Alaskë ku temperaturat arrijnë deri në -40 gradë”, tha gjenerali Milley.
Qeveria amerikane drejtoi gishtin nga kina për balonën e parë të rrezuar në 4 shkurt, duke thënë se lidhej me një program kinez përgjimi. Por për tre të tjerat, nuk kishte dhënë asnjë sqarim. Administrata Biden ju përgjigj me një “Jo” të fortë teorisë se balonat mund të jenë sinjal i aktivitetit jashtëtokësor.