OBSH: 500000 jetë të shpëtuara nga vaksinat në Evropë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Të paktën gjysmë milioni jetë janë shpëtuar tashmë nga vaksinat kundër COVID-19 në Evropë, sipas një raporti të publikuar nga dega evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas studimit, duke llogaritur vetëm personat mbi të 60-at në rreth 30 vende evropiane me rreth 460 milionë banorë, 470 000 jetë janë shpëtuar që nga fillimi i fushatës së vaksinimit.

Studimi, i kryer duke përdorur të dhënat e mbledhura në më shumë se gjysmën e 53 vendeve në rajonin evropian të OBSH-së, vlerëson se rreth 160 000 jetë janë shpëtuar në Angli dhe rreth 39 000 në Francë.

Të dhënat nuk janë të disponueshme për 20 vende të zonës, përfshirë Rusinë, Turqinë, Gjermaninë dhe Holandën.

“Ajo që tregon ky studim është se vaksinat bëjnë atë që premtojnë, që është shpëtimi i jetës, duke ofruar mbrojtje shumë të lartë kundër formave të rënda dhe vdekjes”, tha drejtori rajonal i institucionit për Evropën, Hans Kluge, duke u kërkuar vendeve të vazhdojnë fushatat e tyre të imunizimit.

“Në disa vende, numri i vdekjeve do të ishte dyfishi i asaj që është sot pa vaksinat”, shtoi ai.

Kluge këmbënguli që vaksinat duhet të shoqërohen nga një sërë masash parandaluese për të mbajtur nivelet e transmetimit të ulëta dhe shoqërinë të hapur.

Në BE, 67,7 për qind e popullsisë ka marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por dallimet janë marramendëse midis vendeve.

Në total, që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 1,5 milionë persona kanë vdekur nga COVID-19 në rajon, 90 për qind e të cilëve ishin mbi 60 vjeç./ATSH/

Share This Article