Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është i zhgënjyer që Kina nuk e ka lejuar hyrjen e misionit ndërkombëtar për të ekzaminuar origjinën e koronavirusit të ri.
Një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga OBSH-ja ishte pritur të futej në Kinë këtë javë, më saktësisht në Wuhan, në epiqendrën e koronavirusit të ri, për të studiuar origjinën.
Ekipi i përbërë nga 12-15 ekspertë ndërkombëtarë kishin për qëllim ekzaminimin e dëshmive, përfshirë të mostrave të marra nga njerëzit dhe kafshët nga hulumtuesit kinezë.
Por, kreu i OBSH-së, siç raporton Reuters, ka shprehur zhgënjimin se nuk është autorizuar hyrja në Kinë e misionit ndërkombëtar.
“Sot, ne kemi mësuar se zyrtarët kinezë nuk i kanë finalizuar ende lejet e nevojshme për ardhjen e skuadrës në Kinë”, ka thënë Ghebreyesus në konferencë për media. “Kam qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë dhe shpresoj që sërish ta bëjë të qartë se misioni është prioritet për OBSH-në”.