Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe autoritetet shëndetësore të Rusisë janë duke diskutuar për procesin e parakualifikimit të mundshëm nga OBSH për vaksinën e re të aprovuar për COVID-19 nga Rusia, ka njoftuar zëdhënësi i OBSH-së, raporton agjencia Reuters.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar të hënën se Rusia po bëhet shteti i parë në botë që i ka dhënë aprovimin një vaksine për COVID-19, pas më pak se dy muaj testime te njerëzit.
“Ne jemi në kontakt të afërt me autoritetet shëndetësore të Rusisë dhe diskutimet po vazhdojnë sa i përket parakualifikimit të mundshëm nga OBSH-ja për vaksinën. Por sërish parakualifikimi i çdo vaksine përfshinë rishikim rigoroz dhe vlerësim i gjitha të dhënave të sigurisë dhe efikasitetit”, ka thënë zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jashareviq, duke iu referuar provave klinike.