Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot bëri të ditur se në qershor janë regjistruar madje 60 për qind prej gjithsej 10 milionë të infektuarve me virus korona, sipas tyre kjo tregon se epidemia po përkeqësohet, e nuk po dobësohet.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebrejesus, deklaroi se për çdo ditë ka nga 160.000 raste të reja dhe iu bëri thirrje të gjitha shteteve që të ndërmarrin qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër virusit.
“Gjeni, izoloni dhe kujdesuni për secilin rast, ndiqni dhe lini në karantinë kontaktet e tyre, trajnoni dhe pajisni punonjësit shëndetësorë, edukoni dhe aftësoni qytetarët që të mund të mbrojnë veten dhe të tjerët”, tha Tedros.
Ai paralajmëroi se vendet të cilat po zbatojnë vetëm një pjesë të masave kanë “rrugë të gjatë”, transmetoi “Zëri i Amerikës”.
“Jo vetëm testim. Jo vetëm distancë fizike. Jo vetëm ndjekje e kontakteve. Jo vetëm mbajtje e maskave. Por gjithçka përnjëherë”, tha Tedros, duke theksuar se një nga punët të cilat i ka mësuar në gjashtë muajt e kaluar është se asnjëherë nuk është vonë që të ndryshohet situata në një vend.
Drejtori i OBSH-së theksoi se bartja e maskës ndonjëherë mund të shpëtojë jetë.