Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rishikuar numrin e fataliteteve nga koronavirusi në rreth 2 vjet pandemi duke paraqitur të dhëna tronditesë se numri i vdekjeve nga virusi që izoloi botën mund të jetë rreth 15 milionë.
Kjo shifër është tre herë më e madhe sesa ajo që është raportuar përgjatë dy vjetëve pasi OBSH beson se shumë shtete nuk kanë raportuar situatën reale për viktimat me COVID-19.
Deri në këto momente ishin raportuar rreth 5.4 milionë humbje jete.
Sipas OBSH-së, në Indi vlerësohet se kanë vdekur 4.7 milionë njerëz, 10 herë më shumë sesa është raportuar zyrtarisht.
OBSH ka përfshirë në kalkulime edhe vdekjet për të cilat COVID-19 nuk ka qenë pasojë direkte, por indirekte, sepse pacientët nuk kanë pasur qasje në kujdesin shëndetësor për të cilin kanë pasur nevojë.
Duke raportuar për shifrat, Departamenti për të dhëna në OBSH, e ka cilësuar situatën e lënë pas nga pandemia si nga “tragjeditë” më të mëdha të kohëve moderne.