Bjellorusia është përballur me një surprizë të pakëndshme teksa oficerë të ushtrisë amerikane kanë mbërritur gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë, të quajtura “Zapad-2025”, të cilat nisën të premten në të dy vendet.
Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Viktor Hrenin, u tha oficerëve amerikanë se ata mund të shihnin “çdo gjë që i intereson”, duke i ftuar të lëviznin lirshëm në terrenin e stërvitjes.
Prania e tyre u paraqit si surprizë nga Ministria e Mbrojtjes bjelloruse, e cila theksoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 23 vende, përfshirë dy anëtarë të NATO-s, Turqinë dhe Hungarinë. Në një video zyrtare, dy oficerë amerikanë shihen duke falënderuar Hreninin dhe duke i shtrënguar dorën, ndërsa refuzuan të flisnin për mediat.
Kjo vizitë shihet si një tjetër shenjë e ngrohjes së marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Minskut, ndonëse Bjellorusia mbetet aleate e ngushtë e Rusisë dhe ka lejuar përdorimin e territorit të saj për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Javën e kaluar, përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump, John Cole, zhvilloi bisedime në Minsk me presidentin Aleksandër Lukashenko. Si rezultat, Lukashenko pranoi të lirojë 52 të burgosur, mes tyre gazetarë dhe figura të opozitës. Në këmbim, SHBA lehtësuan sanksionet ndaj kompanisë ajrore kombëtare Belavia, duke i mundësuar blerjen e pjesëve të këmbimit për flotën e saj Boeing.
Trump ka shprehur synimin për të rihapur së shpejti ambasadën amerikane në Minsk dhe për të ringjallur marrëdhëniet ekonomike e tregtare me Bjellorusinë, duke forcuar njëkohësisht lidhjet e tij me Lukashenkon, i cili vijon kontaktet e rregullta me Vladimir Putinin.