Kombet e Bashkuara do të organizojnë një konferencë ndërkombëtare për grumbullimin e ndihmave për Afganistanin. Konferenca do të mbahet më 13 shtator në Gjenevë të Zvcirës.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, tha se konferenca ka për qëllim që ta shmangë katastrofën humanitare në këtë shtet.
“Kemi nevojë që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar dhe ta përkrahë popullin afgan. Ne gjithashtu apelojmë për qasje të plotë dhe të papenguar për t’u siguruar që afganët do të vazhdojnë t’i marrin shërbimet themelore për të cilat kanë nevojë”, tha Guterres.
“Kombet e Bashkuara solidarizohen me popullin e Afganistanit dhe janë për përkushtuara për t’i dalë në ndihmë”, shtoi ai, shkruan Reuters.
Agjencitë e ndihmave thonë se shumë afganë po kanë vështirësi për t’i ushqyer familjet e tyre edhe për shkak të thatësisë së madhe para ardhjes së talibanëve në pushtet dhe se miliona njerëz mund të përballen me vdekjen nga uria për shkak të izolimit të vendit dhe ekonomisë në gjendje të rëndë.

