Sipas agjencisë së fëmijëve të OKB-së, shumica e fëmijëve kanë kaluar në Poloni, Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani me familjet e tyre për të ikur nga lufta
Më shumë se 1 milion fëmijë janë larguar nga Ukraina që nga nisja e luftës së Rusisë në vend, tha UNICEF, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së fëmijëve të OKB-së, shumica e fëmijëve kanë kaluar në Poloni, Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani me familjet e tyre për të ikur nga lufta.
“Numri i fëmijëve në lëvizje është tronditës, një tregues se sa dëshpëruese është bërë situata për fëmijët dhe familjet në Ukrainë”, tha Afshan Khan, drejtore rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Fëmijët po lënë pas gjithçka që mbajnë mend në kërkim të sigurisë. Kjo është zemërthyese”, shtoi ajo.
Të paktën 37 fëmijë kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur në më pak se dy javë, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
UNICEF-i sërish bëri thirrje për akses të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar humanitar për të arritur popullatën në nevojë dhe për kalimin e sigurt të civilëve për të arritur shërbimet dhe mbrojtjen për të cilat ata kanë të drejtë.
Agjencia e OKB-së thekson se bën thirrje për 349 milionë dollarë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të mirëqenies së fëmijëve në Ukrainë dhe vendet fqinje dhe për të mundësuar ofrimin e duhur të mbështetjes për shpëtimin e jetëve.