Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se numri i njerëzve të zhvendosur në vend ka arritur në 2.9 milionë, nga të cilët 1.6 milionë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se 1.3 milionë njerëz janë zhvendosur në Somali në vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se numri i njerëzve të zhvendosur në vend ka arritur në 2.9 milionë, nga të cilët 1.6 milionë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.
Theksohet se numri i katastrofave natyrore është rritur në Somali, veçanërisht përmbytjet dhe thatësira, ndërsa vetëm përmbytjet në vitin 2020 prekën rreth 2 milionë njerëz.
Po ashtu, për shkak të ciklonit tropikal Gati në nëntor të vitit 2020, më shumë se 120 mijë njerëz u zhvendosën vetëm në provincën Puntland.
OCHA tha se numri i njerëzve të zhvendosur arriti afër 1.3 milionë në vitin 2020 dhe se në vitin 2021 ata planifikojnë të shpërndajnë ndihmë humanitare për një total prej 3.1 milionë njerëz në këtë vend.
OKB-ja më 15 shkurt tha se për dërgesën e ndihmës për 5.9 milionë njerëz në Somali këtë vit nevojiten 1 miliard dollarë.
Në njoftimin e OCHA-s thuhet se 2.7 milionë persona në këtë vend përballen me rrezikun e urisë për shkak të përmbytjeve, pushtimit të karkalecave, thatësirave dhe pandemisë së koronavirusit (COVID-19).
Në njoftimin e OCHA-s theksohet se mungesa serioze e ujit ishte raportuar në provincat e Somaliland, Puntland, Galmudug dhe Jubaland dhe se këtë vit për intervenim humanitar nga partnerët ndërkombëtarë do të kërkohen afër 1 miliard dollarë. OKB-ja dhe partnerët e tyre vitin e kaluar në Somali siguruan ndihmë humanitare në vlerë prej 820 milionë dollarë.