Një hetim ka nisur për Qeverinë shqiptare për procedurat e ekstradimit të dy shtetasve turq, Selami Simsek dhe Harun Çelik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Me anë të një komunikate zyrtare, përcjellë qeverisë shqiptare më 20 mars 2020 nga Grupi i Punës i OKB-së kundër Zhdukjeve me Forcë, Grupi i Punës mbi Ndalimet Arbitrare, Raportuesi i Posaçëm për të Drejtat e Migrantëve, Raportuesi i Posaçëm mbi Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Raportuesi i Posaçëm kundër Torturës – këto organe të rëndësishme për të drejtat e njeriut të OKB-së kërkojnë urgjentisht informacion mbi dëbimin me forcë dhe dëbimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar 2020 dhe rrezikun që ekziston për zhdukjen e Selami Şimşek dhe dëbimin e tij të paligjshëm drejt Turqisë.
Për këto dy ngjarje, Qeveria Rama ende nuk është përgjigjur, ndërkohë që ekstradimi me aksion policor në orët e para të një janarit u kritikua nga PD si dhe nga Brukseli.
Në komunikimin e tyre për qeverinë shqiptare, grupet e punës dhe raportuesit e mësipërm kërkojnë nga qeveria shqiptare informacion dhe sqarime të detajuara si më poshtë:
Informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.
Informacion mbi statusin aktual të procesit të aplikimit të z. Şimşek për azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare.
Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore për dëbimin e z. Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës, Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë).
Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore (masat në kuadër të sigurisë kombëtare, apo masa të tjera) që është përdorur për të justifikuar dëbimin në Turqi të personave të akuzuar për simpati ndaj lëvizjes Hizmet/Gulen që kërkojnë azil në Shqipëri.
Informacion të detajuar mbi mënyrën e vlerësimit gjithëpërfshirës dhe individual të rrezikut nga autoritetet shqiptare (në kuadër të masave procedural dhe analizës së situatës në vendin e kthimit), për të siguruar që të drejtat themelore të këtyre individëve të mos shkelen, në procesin e kthimit dhe në vendin ku ata kthehen.
A i janë kërkuar qeverisë së Turqisë nga qeveria e Shqipërisë, garanci me shkrim që të drejtat e personave e kërkuar nga Turqia në rast kthimi nuk do të shkelen, përfshi të drejtën e lirisë, të sigurisë personale dhe të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, në rast se akuzohen për kryerjen e ndonjë vepre penale? Dëshmi nga qeveria shqiptare që garanci të tilla janë kërkuar dhe janë marrë.
Informacion mbi garancitë që ekzistojnë dhe masat e marra për t’i zbatuar këto garanci, me qëllim shmangjen e deportimeve apo kthimin me forcë nga Shqipëria drejt vendeve ku liria, siguria personale, integriteti apo jeta e çdo individi në një situatë të ngjashme, në veçanti e personave që aplikojnë për azil, apo mbajtës të çertifikatave si azilkërkues, mund të jetë në rrezik.
Informacion mbi masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të siguruar të drejtën e personave për një zgjidhje efektive për shkeljen e të drejtave të njeriut, që përfshin ndalimin arbitrar, zhdukjen me forcë, deportimin e paligjshëm, torturën dhe keqtrajtimin./TCH/