Kampioni i botës në boks në peshën e rëndë, Oleksandr Usyk, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, të anulojë pushtimin e Ukrainës.
Rusia nisi një sulm ushtarak në shkallë të plotë ndaj Ukrainës në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, me beteja që po zhvillohen në të gjithë vendin.
Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko ka thënë se gjithsej 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit.
Kampioni i unifikuar i peshave të rënda Usyk, 35 vjeç, u kthye në vendlindjen e tij në Ukrainë në fillim të kësaj jave dhe tani i ka bërë thirrje Putinit që të nisë një armëpushim.
“Mirëmëngjesi të gjithëve. Emri im është Oleksandr Usyk. Unë do të doja të flas me popullin e Rusisë”.
“Nëse e konsiderojmë veten si vëllezër, ortodoksë. Mos i lini fëmijët tuaj të nisen në vendin tonë, mos luftoni me ne”.
“Gjithashtu këtë po ia drejtoj presidentit Vladimir Putin. Ju mund ta ndaloni këtë luftë. Ju lutemi thjesht uluni dhe negocioni me ne pa pretendime”.
“Fëmijët, gratë, gjyshet tona janë fshehur në bodrume… ne jemi këtu në vendin tonë, nuk mund ta bëjmë ndryshe – ne po mbrohemi… Ndaloni!”.
“Ndaloni këtë luftë”, ka shkruar Usyk, krahas një videoje të postuar në faqen e tij në Instagram.
Usyk pritej të mbronte titujt e tij botërorë në një revansh kundër Anthony Joshuas në maj ose qershor, por tani ka dyshime të mëdha nëse lufta do të zhvillohet.
Ndërkohë, ish-kampionët e boksit në peshat e rënda, Vitali dhe Wladimir Klitschko kanë konfirmuar se do të marrin armët në mbrojtjen e Ukrainës.
Vitali, i cili ka qenë kryetar i Kievit që nga viti 2014, tha se është gati të luftojë në luftë dhe tashmë i është përveshur punës.