Disa nga oligarkët më të rëndësishëm rusë u pozicionuan kundër pushtimit të Ukrainës, veçanërisht për shkak të pasojave ekonomike që vendi mund të pësonte për shkak të sanksioneve të aplikuara nga Perëndimi.
I fundit që ka kritikuar ashpër Vladimir Putinin ka qenë oligarku rus, Oleg Deripaska. Sipas Reuters, presidenti i gjigantit rus të aluminit RUSAL, bashkëpunëtor i ngushtë i Kremlinit, deklaroi se nuk do të ketë fitues pas luftës mes dy vendeve: “Unë mendoj se shkatërrimi i Ukrainës do të ishte një gabim kolosal, edhe për ne”.
“Më shqetëson se sa shpejt braktisëm gjithçka që u arrit ekonomikisht në vitet ’90, më pas braktisëm gjithçka që arritëm në vitet 2000, dhe tani jemi ulur dhe presim fitoren. Fitoren e kujt?”, tha ai.
Përveç kësaj, ai shpjegoi se në Rusi “nuk ka mundësi për ndryshim regjimi” dhe se opozita “preferon vizionet e bukura evropiane dhe shmanget nga realiteti i vendit”.
Oleg Deripaska është përfshirë në listën e oligarkëve rusë të sanksionuar nga Britania e Madhe, së bashku me ish-pronarin e Chelsea, Roman Abramovich, dhe CEO-n e Rosneft, Igor Sechin. Sipas revistës “Forbes”, pasuria e Oleg Deripaskës vlerësohet në 3,6 miliardë dollarë. Deripaska është themeluesi i grupit industrial Basic Element, i cili përveç specializimit në sektorin e aluminit, ka interesa edhe në sektorë të tjerë si energjia, ndërtimi apo bujqësia.