Partizani doli kampion gjatë sezonit 2022-2023 ndaj drejtuesit e klubit kanë tërhequr çmimin prej 15 milionë lekësh që jep bashkia e Tiranës me këtë rast.
Çmimi jepet me shumë vonesë. Tashmë ka mbaruar sezoni pasardhës 2023-2024. Klubi i kishte kërkuar paratë shumë kohë më parë nëpërmjet drejtorit, Olsi Rama i cili 6 muaj më parë deklaronte në media “S’kemi marrë as bonusin e premtuar nga Erion Veliaj për fitimin e kampionatit. Presim ta marrim, na është premtuar. E kemi kërkuar, është bërë një proces”.
Kur kaloi vendimin në Këshillin Bashkiak, kryebashkiaku Erjon Veliaj kërkoi ndjesë për vonesën. Në fjalën e tij përmendi veçanërisht presidentin e klubit, Gaz Demin dhe drejtorin sportiv Olsi Ramën.
“Për të gjithë dashamirësit e Partizanit, mikun tonë Gaz Demin apo edhe Olsin dhe skuadrën. Ju kërkoj ndjesë për këtë vonesë. Por siç thotë shprehja më mirë vonë se kurrë”, u shpreh kryebashkiaku.
Për ta dorëzuar çekun me 15 milion lekë Veliaj kishte organizuar një ceremoni në bashki. Aty ishte presidenti Gaz Demi, deputeti dhe tifozi i Partizanit, Erjon Braçe, ish-lojtari Perlat Musta etj.
Por në ceremoni ra në sy mungesa e Olsi Ramës. Dihet se numri dy i klubit është edhe vëllai i kryeministrit.
Olsi Rama nuk iu përgjigj ftesës së Erjon Veliajt, megjithëse i kishte kërkuar paratë që në janar të këtij viti. Konkretisht, nuk dihet nëse Olsi Rama ka pasur një arsye të fortë për të mos u bërë pjesë e ceremonisë në bashki, por që nga janari emri i tij dhe i Veliajt u përfshi në dy skandale të rënda.
I pari ishte vjedhja që u zbulua në bashki me kompaninë “5D”. Njerëzit më të afërt të Erjon Veliajt përfunduan në burg, pasi kalonin paratë e taksave në xhepat e tyre, nëpërmjet kompanisë që e drejtonin vetë. Bashkëpuntorët më të afërt të Veliajt, Redi Molla dhe Maringlen Qato u arrestuan. Taulant Tusha, që ishte arrestuar për inceneratorin, u ngarkua me një akuzë e re.
Por pak ditë pasi SPAK lëshoi urdhër-arrestet për drejtorët e Veliajt, shpërtheu skandali i dytë. Opozita publikoi të dhëna nga sistemi TIMS, sipas të cilave Olsi Rama kishte përdorur të njëjtën makinë që përdornin grupi i trafikantëve të laboratorit të kokainës së Xibrakës. Olsi Rama mohoi përfshirjen në trafikun e drogës, por pranoi se njihte një nga personat e dosjes.
Në kohën kur dolën të dhënat për Olsi Ramën, pati zëra që i shikonin të dyja skandalet si dy episode shkak-pasojë e lojës për pushtet në PS. Sipas këtyre zërave, të dhënat e TIMS për Olsi Ramën ranë në duart e opozitës për të baraspeshuar skandalin e drejtorëve të Veliajt, që kishin bërë kërdinë me kompaninë “5D”.
Ky skenar mbeti në nivel thashethemesh, por çfarë besoi Olsi Rama? Vëllai i kryeministrit nuk u prononcua, pasi u përpoq të mbajë një profil të ulët dhe të flasë sa më pak të jetë e mundur për këtë çështje. Gjithsesi refuzimi i ftesës për të takuar Veliajn këtë të shtunë, është një tregues që zërat që i shohin skandalet si pjesë e luftës së brendshme brenda Rilindjes nuk janë pa bazë./