Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen e parë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut për tregtinë e lirë. Në vendim nuk përfshihet Kosova, ndërsa ministrja Delina Ibrahimaj shprehet se vendimi është në kuadër të nismës Open Ballkan.
Debati mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave në kufi duket se e sfumoi paktin e Open Ballkan.
Madje dhe kryeministri Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, u shpreh nga Prishtina se qëndrimi i njëanshëm ishte për shkak të Serbisë.
Por vetëm pak ditë pas rikthimit të dialogut mes Kurtit dhe Vuçiçit, dhe kur u shënuan tensione të forta në Mitrovicë, qeveria shqiptare miraton marrëveshjen e parë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj për mediat u shpreh se kjo i shërben lëvizjes së lirë.
Ibrahimaj: Kemi miratuar dy projekt vendime të tjera për bashkëpunimin për eksportet dhe importet në Ballkan që lidhet me nisëm “Open Ballkan”. Ka të bëjë me lehtësinë e tregtisë siç edhe thuhet në emrin e tij. Memorandumi vjen si suport i subjekteve që operojnë në Shqipëri dhe tregtojnë në Maqedoni dhe Serbi. Projektvendimi i tretë lidhet me dhënien me qira të një objekt në Vlorë për një investim strategjik. Ne prej dy javësh kemi pasur diskutime të nivelit teknik kryesisht. Ndajmë një mendim që ekonomia shqiptare ka ardhur në përmirësim dhe ka treguar stabilitet.
Pas mbledhjes së qeverisë Ibrahimaj deklaroi dhe ndërhyrjen në tregjet ndërkombëtare për të siguruar rreth likuiditete përmes eurobondit, një formulë që sipas Ibrahimaj kryhet për herë të pestë.
Ibrahimaj: Vlera e financuar ka ardhur në rritje por interesi i bondit ka ardhur në ulje. Ndër vite kemi krijuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të besueshme për tregjet. Jemi gati për të dalë në treg në fund të muajit Tetor. Tregjet kanë pasur problematika për shkak të krizës energjetike apo edhe për shkak të sinjaleve nga ekonomia globale. Jemi besimplotë që kushtet janë të favorshëm për të dalë brenda këtij viti në Eurobond për një huamarrje për t’u përdorur për mbështetje buxhetore./Ora News/