Operacion i madh ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, tre të arrestuar në Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një operacion kundër krimit kibernetik, i koordinuar nga EUROPOL, në të cilin kanë marrë pjesë disa shtete të botës, përfshirë edhe Kosovën, ka rezultuar me arrestimin e tre personave në Kosovë.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se operacioni në Kosovë është zhvilluar të martën më 03.03.2026, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj.

Sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë ndaluar për 48 orë personat: A.R., A.K. dhe R.H., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale- hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik, dhe – vjedhja e identitetit dhe kredencialeve.

“Sipas hetimeve, të dyshuarit, gjatë periudhës 2023–2025 duke shfrytëzuar njohuritë e tyre teknologjike dhe duke vepruar nën nofka dhe emra të rremë, kanë siguruar në mënyra të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale. Këto të dhëna më pas janë publikuar në platformën online “LEAKBASE.IO”, me qëllim shitjen dhe përfitimin material, si dhe duke u mundësuar personave të paautorizuar përdorimin e tyre për qëllime kriminale” – thuhet në njoftim.

Në cilësinë e provave materiale, sipas njoftimit, janë sekuestruar: 3 laptopë; 5 shtëpiza kompjuteri; 6 telefona mobilë; 2 pajisje memorizuese.

Ky operacion është pjesë e një operacioni ndërkombëtar policor (OP LEAK), i cili është zhvilluar në mënyrë të koordinuar dhe të njëkohshme në këto shtete: Kosovë, SHBA, Britani e Madhe, Australi, Gjermani, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës rikonfirmojnë përkushtimin në luftën ndaj krimit kibernetik dhe ngritjes së bashkëpunimit me autoritetet e tjera të sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Share This Article