Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të martën në mbrëmje ka treguar detaje të reja në lidhje me operacionin e Policisë së Kosovës në Banjskë pas sulmit terrorist atje më 24 shtator 2023.
Hoxha në Debat Plus të RTV Dukagjinin ka treguar se kush e ka kryer operacionin në Banjskë për të neutralizuar terroristët.
“Operacioni në Banjskë është kryer plotësisht nga Policia e Kosovës. KFOR-i ka qenë në prapavijë, është koordinuar me neve mirëpo veprime operative në terren kundër grupit kriminal nuk ka ndërmarrë.
Të gjitha veprimet kanë qenë të ndërmarra nga Policia e Kosovës. Ndërsa ne kemi komunikuar me ta, i kemi dhënë informacione që ne do të ndërhyjmë. Komandanti i KFOR-it ka thënë që ne jemi përgjegjësi i tretë dhe ju jeni përgjegjësi i parë për të kryer detyrën… ne pastaj i kemi kryer detyrat tona… “, tha ai.
Drejtori i Policisë po ashtu ka treguar se telefonatën e parë për situatën në Banjskë e ka marr brenda 10 minutave pas ngjarjes.
“Telefonata ka pas të shumta… së pari më ka njoftuar drejtori i Departamentit të rendit publik, që ishte Arbnesh Ajvazi, pastaj Veton Elshani, pastaj koloneli Mikullovci…”, tha ai, gjersa shtoi se tani ka kontaktuar ministrin e Punëve të Brendshme për ta njoftuar.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se menjëherë janë nisur për në veri, ku brenda 18 minuta kanë arritur në Qendrën e Njësisë Speciale “Enver Zymberi” nga shtabi i Policisë në qendër.
Hoxha tutje njoftoi se gjatë rrugës pastaj kanë bërë shumë komunikime si me komandantin e KFOR-it, ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla e të tjerë.