Operacioni në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, policia bllokon 46 mjete lundruese (video)

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Policia e Shtetit duket se ka ndërhyrë me “dorë të fortë”, në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, për kontrollin dhe verifikimin e plotë të dokumenteve dhe të përmbushjes së kritereve të sigurisë, të mjeteve lundruese që operojnë në atë zonë.

Ky operacion policor i koduar “Lundrim i sigurtë”, po zhvillohet nga Policia Kufitare e Shkodrës, DVP Shkodër, FNSH Shkodër dhe Delta Forcë, në bashkëpunim të ngushtë më Drejtorinë e Përgjithshme Detare.

Krahas bllokimit të mjeteve të paligjshme, në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, policia paralajmëron edhe marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve të këtyre mjeteve.

“Qëllimi i vetëm i këtij operacioni është siguria e jetës së turistëve dhe vizitorëve, dhe jo penalizimi i operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë.

Gjatë ditës së parë të këtij operacioni, u konstatuan 46 mjete lundruese (traget, skafë dhe varka artizanale) në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, që ishin në cenim të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë (nuk kishin pajisur pasagjerët me jelekë shpëtimi) për transport ditor, për qëllime turistike, të vizitorëve në këto vende.”- njofton policia.

Gjatë ditës së dytë të këtij operacioni, po vijon puna edhe për identifikimin e pronarëve të varkave artizanale të bregëzuara gjatë ditës së djeshme, në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit.

Paralelisht po vijon sekuestrimi i motorëve të varkave artizanale që nuk përmbushin parametrat e sigurisë dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës.

“Theksojmë se operacioni “Lundrim i sigurtë” vijon në të gjitha hapësirat ujore (dete, liqene dhe lumenj) të vendit, me qëllimin e vetëm garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve, turistëve dhe pushuesve, si dhe garantimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit.”- theksohet në njoftim.

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare apelojnë për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat liqenore, lumore dhe detare që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.

Share This Article