Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me operacionin e koduar “Rrjeti” ku Policia e Elbasanit vuri në pranga këtë të diel (16 korrik) edhe dy persona të shpallur në kërkim në kuadër këtij operacioni.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, teksa thekson se pret më shumë goditje si kjo, Balla deklaron se beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar.
“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar.
Përgëzime Drejtorisë së Policisë & Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar “Rrjeti”. Pres më shumë goditje si kjo”, shkruan Balla.
Nga megaoperacioni “Rrjeti” i cili u zhvillua më 29 qershor nga Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria Elbasan, janë goditur katër grupe kriminale ku ranë në pranga 50 persona, të cilët prodhonin dhe shpërndanin lëndë narkotike në qytete të ndryshme të vendit tonë.
Deri tani në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 54 shtetas si dhe janë sekuestruar sasi të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.