Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj.
VMRO DPMNE-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.
VMRO DPMNE-ja shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.
Me këto rezultate, LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990.
Ajo do t’i ketë 19 ulëse në Parlament, apo vetëm një më shumë se Fronti Evropian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili mori 18 mandate.
Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM.
Disfata e thellë e LSDM-së lidhet me disa faktorë, si: dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e sundimit të ligjit, kriza e thellë ekonomike, por edhe “lëshimet” që ka bërë ndaj partnerit të saj qeverisës, BDI-së, thonë analistët.
VMRO-ja e ka akuzuar atë për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.
Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, e pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë.
“LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi”, tha Kovaçevski.
Partia e tij fajësohet njëkohësisht edhe për politikën e saj të jashtme.
Ajo në vazhdimësi është akuzuar për “tradhti”, pas marrëveshjes me Greqinë në vitin 2018 për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, si dhe për pranimin e një marrëveshjeje me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në të si popull shtet-formues.