Opozita në Mal të Zi ka njoftuar se është tërhequr nga iniciativa për votimin e mosbesimit të Qeverisë. Sot është planifikuar në Mal të Zi të mbahet seanca plenare ku do të shqyrtohej nisma e opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Ura”, Dritan Abazoviq, ka thënë se për të dalë nga kriza politike duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshnme.
Por, opozita në Mal të Zi ka thënë se është tërhequr nga iniciativa, por se duhet filluar pa vonesë për formimin e një shumice të re parlamentare.
“Pas njoftimit nga Fronti Demokratik se do të paraqesë nismë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe pasi opozita e bashkuar filloi procedurën e mosbesimit ndaj Qeverisë, besojmë se bisedimet për formimin e një shumice të re parlamentare duhet filluar pa vonesë. Jemi të bindur se do të formohet një shumicë e re parlamentare dhe në atë mënyrë do të krijohen parakushte të nevojshme për rrëzimin e Qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi. Për këtë arsye ne tërheqim iniciativën për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të opozitës në Malin e Zi.
Rënia e mundshme e qeverisë nënkupton rikthimin e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq.