“Rama ik”, “Poshtë Qeveria”, “Poshtë diktatura”, janë thirrjet e dhjetëra qytetarëve të cilët po protestojnë para shkollës nëntë vjeçare “Vasil Shanto”, në Tiranë, derisa në vend po mbahen zgjedhjet e krerëve të bashkive. Të njëjtit thonë se nuk do të lejojnë sistemin komunist në Shqipëri, për çka sipas tyre sot po mbahen zgjedhje të pa ndershme dhe jo të lirshme.
Këtë sistem e krahasojnë edhe me sistemin komunist të Enver Hoxhës. Një nga protestuesit, Lefter Traja, thotë se nuk do të lejojnë për së dyti komunizmin, ndërkohë thotë se këto zgjedhje kryeministri i vendit po synon t’i marrë me zor duke i “qajtur” ato.
“Mesazhi jonë është që nuk do të lejojmë komunizmin për së dyti, komunizmi është shkatërrimi i vendit, demokracia është për të gjithë…Këto zgjedhje janë tamam si fëmijët që shofin lodra në dyqan dhe qajnë që t’i marrin, të njëjtën gjë po e bën edhe kryeministri, i cili po synon që t’i marrë me zor duke qajtur këto votime. Asnjëri nuk voton me zemër, gjithë janë të kërcënuar, me çfarë po dëgjojmë dhe lexojmë në media”, tha Traja.
Kurse Aurel Pashollari thotë se në vitin 2019 po pretendohet të instalohet sistem komunist.
“Mesazhi është shumë i qartë, protestojmë kundër një sistemi komunist në Shqipëri. Të mendosh që në vitin 2019 dhe të pretendohet të instalohet një sistem komunist dhe kryeministri defakto, atëherë është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, pas tragjedisë së Enver Hoxhës”, thotë Aurel Pashollari.
Me pankartën në duar “Shqipëria kurrë më diktaturë!”, Besim Zairi për thotë se sot nuk po u njihet e drejta për zgjedhje të ndershme dhe të lira.
“Arsyeja e vetme pse po protestoj sot, sepse neve nuk po na njihet më zgjedhjet e lirshme dhe të ndershme, nuk kemi alternativë po detyrohemi të vijmë të zgjedhim një parti. Nuk është se ne kemi një alternativë dhe po vijmë me dëshirë, kjo është e gjitha”, thotë ai.
Disa nga qytetarët po improvizojnë edhe procesin e votimit, që sipas tyre është i manipuluar.