Qeveria serbe e konsideroi grusht shteti protestën e opozitës dhe ekstremistëve para selisë së Presidencës. Policia arrestoi në Novi Sad organizatorin kryesor të protestës, liderin e ekstremit të djathtë, Damjan Knezheviçin, si dhe dy bashkëpunëtorë të tij.
Knezheviç i kishte bëri thirrje publike Rusisë që të largojë nga pushteti presidentin Aleksandër Vuçiç nëse ai nuk arrin të bllokojë pranimin e Kosovës në OKB. Sipas tij protestuesit “pëlqenin propozimin rus” për Kosovën në vend të atij franko-gjerman. Të tre protestuesit janë akuzuar për thirrje ndaj qytetarëve që të mblidhen në Beograd dhe që të rrëzojnë me dhunë qeverinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sipas autoriteteve serbe, ndaj tyre është zbatuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Kryeministrja Ana Brnabiç dhe disa ministra e konsideruan grusht shteti sulmin ndaj selisë së presidencës dhe kërcënimet me jetë ndaj Vuçiçit. Brnabiç ka deklaruar se protestuesit shkelën flamurin serb.
Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç tha se është e qartë se protesta ishte një tentativë për grusht shteti dhe ka kërkuar që organet kompetente të marrin të gjitha masat. Në protestën e 15 shkurtit turma ka bërtitur “Serbia, Rusia”, “Kosova-Jo dorëzim” dhe “Tradhti” ndërsa mbanin simbole të grupit “Wagner” dhe shkronjën “Z”, e cila njihet si simbol i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Para nisjes për në konferencën e Munihut presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se shteti nuk do të lejojë dhunë dhe do të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase. Ai parashikoi bisedime jo të lehta me shtetarët më të mëdhenj të botës ndërsa premtoi se nuk do t’i nënshtrohej asnjë presioni dhe se nuk do t’ia dorëzonte ekstremistëve Serbinë.