Pas aksionit policor kundër kultivuesve të duhanit në Luboten reagojnë partitë opozitare shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Qeveria ende po zbaton masa të pas Luftës së dytë botërore në Luboten. Sipas partisë së Ziadin Selës, të drejtën për jetë që atyre banorëve ua jep Zoti, me situatën aktuale, po u mohohet nga pushteti.
“Është i papranueshëm reagimi i forcave policore ushtarake në fshatin Luboten, duke ua mohuar të drejtën për kafshatën e gojës. Nuk të ofron punë, nuk investon, nuk të krijon lidhje infrastrukturore, nuk të ofron perspektivë, dhe ta ndalon përpjekjen për të rritur me nderë fëmijët. Kjo i ngjason masave të pas luftës së dytë botërore të cilat kishin për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat e tyre duke ua bërë të pamundur jetën”, theksuan nga Aleanca për Shqiptarët
Ndërsa, nga Lëvizja Besa thonë se aksioni policor në Luboten është bërë për të mbuluar dështimin e “fshesës” së Qeverisë. Partia e Bilall Kasamit dënon aksione të tilla të policisë
“Për fat të keq sot banorëve të Lubotenit ju rikthyen pamjet e ngjashme nga masakra e kryer në vitin 2001, ku me arsenal të njëjtë ushtarak policia hyri në këtë fshat. Kjo pamje e shëmtuar nga ana e Qeverisë dhe policisë së shtetit, kundër shqiptarëve e dëshmon se ky shtet nuk mund të zhvishet nga të qenit shtet policorë”, tha Lëvizja Besa.
Aleanca dhe Besa i bënë thirrje institucioneve kompetente që të shqyrtojnë problemin e Lubotenasve, për të ju mundësuar atyre të shesin duhanin e kultivuar./Alsat/