Orban viziton gazsjellësin pranë kufirit hungarezo – serb pas dyshimeve për sabotim

albnews
By
2 Min Read

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka udhëtuar të hënën drejt gazsjellësit Rrjedha Turke (TurkStream) që gjendet në kufirin hungarezo-serb, për të inspektuar infrastrukturën të cilën Qeveria e tij thotë se është shënjestruar nga tentime të dështuara sabotimi – gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare, që sipas sondazheve, ai do të mund t’i humbë.

“Dje ata dëshiruan të shpërthejnë tubacionin e gazit”, ka shkruar Orban në Facebook para se të nisej për në pikën kufitare.

“Jemi duke kontrolluar nëse gjithçka është në rregull në anën hungareze”.

Autoritetet serbe kanë thënë se i kanë gjetur dy çanta me rreth katër kilogramë të lëndëve shpërthyese afër fshatit Velebit në veri të Serbisë, më 5 prill, bashkë me kapakë detonatorësh dhe mjete të përdorura për të montuar pajisje shpërthyese.

Zyra e Prokurorit të Lartë në Suboticë ka thënë se rasti është klasifikuar si trafikim i paligjshëm i armëve ilegale dhe lëndëve shpërthyese të lidhura me sabotazhin e dyshuar.

Zbulimi ka nxitur shpejt polemika mbi përgjegjësinë, teksa gjithçka ka ndodhur në periudhën pak para zgjedhjeve në Hungari.

Duke folur në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Mbrojtjes së Hungarisë, Orban nuk e ka përmendur me emër Ukrainën, mirëpo ka thënë se Kievi “me vite ka tentuar t’ia pamundësojë Evropës energjinë ruse”, dhe ka shtuar se sulmet në segmentin rus të Rrjedhës Turke përbëjnë “rrezik vdekjeprurës për Hungarinë”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës e ka hedhur poshtë çdo përfshirje./REL

Share This Article