Shitja e koleksionit personal të orëve të dorës të Michael Schumacher-it grumbulloi një total mbi 4 milionë dollarë.
Ankandi nga “Christie’s” në Gjenevë pati një fillim të vështirë, me “Bloomberg” që raportoi se faqja e internetit e kompanisë mund të jetë komprometuar.
Si rezultat, ankandi u shty deri të martën “për çështje sigurie”, por përfundimisht u zhvillua, duke paraqitur një përzgjedhje të orarëve Rolex, Audemars Piguet dhe FP Journe të personalizuara.
Gazeta “Ouest France” raportoi se tetë nga orët e legjendës së F1 u shitën, në total pak më pak se 4 milionë franga, ekuivalente me pak më shumë se 4 milionë dollarë.
Sipas botimit, shtatë herë kampioni botëror Schumacher “ishte një koleksionist i zjarrtë dhe me shumë shije deri në aksidentin e tij të rëndë në ski në dhjetor 2013. Ai nuk është parë në publik që atëherë”.
Dy nga orët e shitura janë përshtatur posaçërisht për Schumacher nga miku i tij dhe ish-shefi i Ferrarit, Jean Todt, sipas “Ouest France”.
Ora më e shtrenjtë arriti gati 1.7 milionë dollarë, duke shfaqur stemën e Ferrarit, shtatë simbole që përfaqësojnë titujt e Schumacher në F1 dhe një imazh të kokores së tij ikonike të kuqe.