Dukej projekt ambicioz nëntë vjet më parë kur UEFA paralajmëroi se do të organizonte Kampionatin Evropian 2020 në 13 qytete të ndryshme përreth kontinentit. Ndërsa projekti u duk shumë optimist vitin e kaluar kur UEFA vendosi t’i përmbahej një plani me 12 qytete organizatore, pasi shtyu “Euro 2020” kur u paraqit pandemia e koronavirusit.
Tani “Euro 2020” do të fillojë në 11 qytete, të ndara nga katër zona kohore dhe deri në 4.700 kilometra larg njëri-tjetrit. Plani i çuditshëm, ai i pritjes, duket se është rezultati më i mirë që tifozët mund të shpresojnë me koronavirusin që vazhdon të kufizojë udhëtimet ndërkombëtare. Nëntë nga 11 vendet nikoqire – përveç Azerbajxhanit dhe Rumanisë – u kualifikuan në turneun me 24 përfaqësuese, duke u dhënë dhjetëra e mijëra tifozëve mundësinë për të parë të paktën dy ndeshje në shtëpi. Ky është një rezultat më i mirë sesa të kesh një shtet të vetëm nikoqir, si Franca në “Euro 2016” dhe Gjermania në “Euro 2024”, që me shumë gjasë do të duhej të mbyllte kufijtë për shumë tifozë vizitorë. Në fakt, në vitin 2012, ofertuesja më e mirë për turneun e vitit 2020 ishte Turqia, një vend që e fitoi të drejtën për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve për vitin e dytë rresht, por që masat ndaj koronavirusit ia pamundësuan mbajtjen e kësaj ngjarjeje të madhe futbolli.
“Ne kemi një avantazh të madh, se kemi shumë skuadra vendase”, tha drejtori i turneut të UEFA-s, Martin Kallen.
Më shumë se 50 mijë tifozë hungarezë mund të jenë brenda stadiumit “Pushkash Arena” në Budapest për të parë përfaqësuesen nikoqire duke luajtur kundër kampiones në fuqi të botës, Francës, dhe kampiones të Evropës, Portugalisë, në kuadër të Grupit F.
Rreth 30 mijë rusë duhet të lejohen në stadiumin në St. Petersburg për të parë përfaqësuesen e Rusisë të përballet në kuadër të Grupit B me Belgjikën dhe Finlandën.
Kallen pranoi se logjistika e një lëvizjeje të vonshme me opsion me një nikoqir të vetëm ishte “në parim e pamundur”, pasi pandemia mori përmasa të mëdha në të gjithë Evropën gjatë dimrit. Ai shtoi se organizimi i këtij turneu në një shtet nuk do të ishte aspak i sigurt për tifozët.
UEFA punësoi zyrtarin më të lartë të shëndetit publik të Zvicrës që mbikëqyri reagimin e pandemisë vitin e kaluar, doktorin Daniel Koch, si këshilltar për çështjet e turmave në “Euro 2020”. Ai e pa rrezikun në 24 grupe tifozësh që lëvizin nëpër një shtet të vetëm.
“Unë mendoj se ishte një vlerësim i gabuar të mendohej se do të ishte shumë më lehtë nëse Kampionati Evropian do të mbahej vetëm në një vend”, tha Koch.
Sipas tij, sa më shumë vende organizatore, aq më shumë do të kishte siguri shëndetësore. Në fakt, UEFA i pati 12 qytete nikoqire të ndryshme, por në muajin prill u tërhoq Dublini për arsye të masave të qeverisë vendase në raport me koronavirusin.
“Rreziku që një epidemi lokale të egërsohet është shumë më i vogël nëse turneu është i përhapur”, shtoi Koch.
Çështjet e tifozëve ishin faktori i pasigurt këtë vit, sepse UEFA dëshmoi gushtin e kaluar me mini-turnetë e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës se skuadrat mund të udhëtojnë dhe të luajnë në mënyrë të sigurt. 55 ekipet përfaqësuese të Evropës gjithashtu kanë luajtur ndeshje të Ligës së Kombeve, plejofin e “Euro 2020” dhe ndeshje kualifikuese për botërorin “Katari 2022” me pak përçarje, megjithëse disa lojtarë u mënjanuan nga testet pozitive dhe vetizolimi. Udhëtimet me avionë privatë dhe protokollet e drejtuara nga UEFA në aeroporte dhe hotele, duke kufizuar kontaktet me stafin dhe klientët e tjerë, tani janë shndërruar në norma për lojtarët ndërkombëtarë. Vetëm dy ndeshje të përfaqësueseve u anuluan, të dyja në nëntor. Zyrtarët e shëndetit publik të Norvegjisë ndaluan ekipin të udhëtonte në Rumani dhe lojtarët e Ukrainës u futën në karantinë në Zvicër pas testeve pozitive.
“Disiplina e ekipeve dhe qasja profesionale ishin shumë të mira”, tha Kallen, duke theksuar se për lojtarët e rinj “nuk është e lehtë të jesh në izolim gjatë gjithë kohës”.
Një gabim i raportuar gjerësisht përfshiu dy lojtarë të rinj të Anglisë në Islandë gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të muajit shtator.
Testet PCR për të gjithë ekipin janë të detyrueshme një ditë para ndeshjeve të organizuara nga UEFA, e cila punësoi një laborator gjerman vitin e kaluar për të drejtuar programin dhe për të dhënë rezultate të paktën gjashtë orë para fillimit.
UEFA është e përgatitur për një shpërthim të koronavirusit në “Euro 2020”. Ndeshjet mund të shtyhen deri në 48 orë nëse më shumë se gjysma e një skuadre rezulton pozitive, me zëvendësimet e sjella. Kallen tha se lojtarët që testohen pozitivisht janë shqetësimi i tij më i madh për “Euro 2020”, duke përkujtuar se brenda një muaji do të zhvillohen 51 ndeshje pas një sezoni tashmë stresues dhe të mbingarkuar, gjë që nuk do të jetë aspak lehtë.
“Ekziston një shqetësim i ligjshëm se cilësia e lojës do të ndikohet nga niveli i lodhjes”, tha Jonas Baer-Hoffmann, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së lojtarëve FIFPRO.
Ndeshjet në fund të sezonit janë ato ku pjesa më e madhe është në rrezik, paralajmëroi ai, pas “periudhës më të gjatë të ekspozimit ndaj intensitetit. Ata janë lodhur tashmë kur të arrijnë në Evropian”.
Megjithatë, shfaqja e futbollit vazhdon. UEFA, tifozët, lojtarët dhe transmetuesit dëshirojnë që të mbahet “Euro 2020” dhe shumë nga federatat e kontinentit varen nga grantet prej dy miliardë dollarësh në të ardhura si shpërblim. Koch beson se UEFA gjeti ekuilibrin e duhur.
“Nëse bëjmë planifikime, mundësojmë izolime, bëjmë më shumë testime e gjëra të tilla, normalisht që është shumë punë e lodhshme dhe stresuese. Por tashmë gjithçka është gati për turneun që nis me një vit vonesë”, shtoi Koch. “Nuk mendoj se mbyllja totale është opsioni i vetëm pasi mund ta organizojmë Evropianin dhe të ketë siguri për të gjithë”.