Ambasadori Michel Tarran, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi të martën një takim me drejtuesin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, për të theksuar bashkëpunimin e ngushtë dhe strategjik mes dy institucioneve.
Ambasadori Tarran vlerësoi lart kontributin e SPAK-ut si thelbësor në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, veçanërisht nëpërmjet ndjekjes penale të korrupsionit, rritjes së integritetit dhe garantimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, ai theksoi rolin kritik që SPAK-u ka pasur në adresimin e krimit zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.
Fusha të reja bashkëpunimi dhe trajnime të specializuara
Tarrani dhe Dumani diskutuan fushat aktuale dhe të ardhshme të bashkëpunimit, duke shkëmbyer ide mbi mënyrat se si mbështetja e OSBE-së mund të përshtatet më mirë me objektivat strategjikë të SPAK-ut.
Ambasadori njoftoi se: “Prezenca e OSBE-së po përgatit një trajnim të ri për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në hetimet komplekse, duke u fokusuar te parandalimi i pastrimit të parave, lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi ndërkombëtar”.
Gjithashtu, u diskutua angazhimi i OSBE-së për të punuar me një gamë të gjerë institucionesh për të adresuar përqindjen e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri.
Monitorimi gjyqësor dhe prokurimet publike
Që prej vitit 2021, OSBE-ja bashkëpunon ngushtë me SPAK-un përmes projektit të saj rajonal të monitorimit të proceseve gjyqësore, i cili analizon efektivitetin e reagimit të sistemit të drejtësisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Bashkëpunimet e fundit kanë përfshirë trajnime dhe tryeza të specializuara mbi:
Veprat penale të lidhura me prokurimet publike.
Kërkimin ligjor dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat (PPP).
“Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar në mbështetjen e institucioneve të drejtësisë shqiptare në çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.”, thuhet në njoftimin për shtyp.