Shikueshmëria e edicionit të 98-të të çmimeve Oscar ka shënuar rënie këtë vit, duke arritur në 17.86 milionë shikues, niveli më i ulët që nga viti 2022, sipas të dhënave të Nielsen.
Ceremonia, e transmetuar të dielën më 15 mars në ABC dhe Hulu, pati një rënie prej rreth 9% krahasuar me vitin e kaluar, kur numri i shikuesve arriti në 19.69 milionë.
Edhe në grupmoshën kyçe 18-49 vjeç u vu re rënie. Shikueshmëria në këtë kategori ishte 3.92, rreth 14% më pak se një vit më parë, me afërsisht 5.34 milionë shikues. Megjithatë, ceremonia mbeti programi argëtues më i ndjekur në orarin “prime time” gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë, aktiviteti në rrjetet sociale shënoi rritje të ndjeshme. Sipas Talkwalker Social Content Ratings, ceremonia gjeneroi mbi 181 milionë shikime, duke regjistruar një rritje prej 42%.
Mbrëmja u dominua nga filmat “One Battle After Another” dhe “Sinners”. Filmi i parë fitoi gjashtë çmime Oscar, përfshirë Filmin më të Mirë dhe Regjisorin më të Mirë për Paul Thomas Anderson. Ndërsa “Sinners” mori katër çmime, mes tyre Aktori më i Mirë për Michael B. Jordan dhe Skenari më i Mirë Origjinal për Ryan Coogler. Ceremonia u moderua për të dytin vit radhazi nga Conan O’Brien.
Rënia e shikueshmërisë ndjek trendin e përgjithshëm të ceremonive të mëdha këtë vit, si Golden Globes dhe Grammy Awards, megjithëse me një rënie disi më të theksuar. Gjatë mbrëmjes pati edhe disa probleme teknike, ndërsa disa fjalime u ndërprenë para kohe.
Pavarësisht këtyre vështirësive, ceremonia u vlerësua për momentet emocionale të fituesve, performancat muzikore nga filmat e nominuar dhe prezantimin humoristik të Conan O’Brien.
Transmetimi u përball gjithashtu me konkurrencë të fortë, pasi në të njëjtën kohë u zhvillua gjysmëfinalja e World Baseball Classic mes SHBA-së dhe Republikës Dominikane, e cila tërhoqi 7.37 milionë shikues, shifra më e lartë për këtë event në SHBA.


