Osmani i kërkon Shqipërisë ta mbrojë në organizatat ku s’është anëtare

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kosova ka kërkuar nga Shqipëria që ta mbrojë në organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova nuk përfaqësohet si shtet e që të angazhohet për ta përçuar mesazhin në botë se Serbia po e rrezikon Ballkanin.

Kërkesa për përfaqësim e mbrojtje ka dalë nga takimet që krerët e shtetit patën me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se bashkë me Shqipërinë, dy shtetet duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe botë që Ballkanit po i kanoset rreziku nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Ajo ka përsëritur qëndrimin e Kosovës kundër ideve në të cilat vendi s’trajtohet në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë këtu edhe iniciativën “Ballkani i Hapur” që është iniciuar nga Shqipëria bashkë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Osmani, sipas komunikatës së Presidencës.

Duke iu referuar iniciativës Ballkani i Hapur, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euro-atlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ku Kosova s’është anëtare.

Të dy liderët e Kosovës i kanë thënë Metës se dialogu me Serbinë duhet të ketë në qendër vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Share This Article