Osmani komenton raportin e KE-së për Kosovën, kundërshton pjesën për Vettingun

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka komentuar Raportin e Progresit të përpiluar nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën.

Osmani kundërshtoi pjesën e raportit të Komisionit Evropian ku thuhet se Vettingu paraqet një burim shqetësimi serioz, transmeton Telegrafi.

“Sa i përket Vettingut Komisioni Evropian ka konstatuar se vlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente e vendit nuk pajtohem fare me këtë konstatim, në fakt mungesa e Vettingut do të ishte shqetësim serioz, e jo përmbushja e këtij procesi. Mos realizimi i këtij Vettingut nuk i kontribuon as përpjekjeve  të Republikës së Kosovës për garantim dhe sundim të ligjit”, ka thënë ajo.

Osmani shtoi tutje se Vettingu është i domosdoshëm dhe mënyra e vetëm për të arritur të gjithë ato kërkesa që ka kërkuar Bashkimi Evropian.

Presidentja gjithashtu kërkoi nga institucionet që procesi i Vettingut të vazhdojë.

Po ashtu, gjatë konferencës Osmani tha se Komisioni Evropian ka konfirmuar se situata në veri është sfiduese sa i përket korrupsionit e krimit të organizuar.

“Komisioni Evropian konfirmon se situata në veri të vendit është sfiduese sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe mungesës së lirisë së shprehjes, kjo situate sipas komisionit paraqet sfidë. Ne kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së të i qëndrojnë besnik këtyre deklaratave në mënyrë që sa herë institucionet e Kosovës luftojnë krimin dhe korrupsionin, ta kemi përkrahjen e tyre, dhe jo kundërshtimin”, u shpreh ajo.

Osmani tha se në luftë me krimin dhe korrupsionin nuk ka kompromis.

Në raportin e Bashkimit Evropian për Kosovës mbi procesin zgjedhor të mbajtur me 17 tetor 2021 kritikohet vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës.

Ky vendim sipas misionit të BE-së nuk mund të mbështetet në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e lëshuara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndaj këtij raporti të BE-së ka reaguar ashpër presidentja Vjosa Osmani.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se është në kompetencë të saj të bëjë emërimin dhe shkarkimin e kryesueses së KQZ-së.

“Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të Presidentes është kompetencë e gjykatave kompetente, jo e misioneve që të japin deklarata e konkluzioneve të tilla. Legjislacioni në fuqi parasheh që Presidentja është autoriteti për të emëruar kryesuesen e KQZ-së sikurse edhe për ndërprerjen e mandatit të saj. Pra Presidentja është autoriteti emërues, shkarkues dhe ajo që bënë vlerësimin e integritetit të KQZ-së. Vendimi për shkarkimin e kryetares së KQZ-së ka qenë në përputhje të plot me ligjin, me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave për të mbrojtur integritetin e atij institucioni”.

Osmani ka vlerësuar kryesuesit e ri të KQZ-së dhe sipas saj kjo u pa në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Rezultati po shihet që tashmë është pozitiv me një udhëheqje profesionale dhe apolitike. Si rrjedhojë KQZ tashmë nuk është temë në favor të agjendave politike por është duke u vlerësuar me notat më të larta për performancën e tyre si nga misionet ndërkombëtare po ashtu edhe nga vëzhguesit vendor”.

Presidentja thotë se nuk mërzitet nëse dikush e dërgon në kushtetuese shkarkimin e Dakës.

“Për fund mua askush nuk mund të më spraps me kërcënime për të më dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast, por si presidente do të mbetem e përkushtuar në respektim të Kushtetutës”, deklaroi ndër të tjera Vjosa Osmani.

Share This Article