Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të saj.
Ajo bëri të ditur se kërkesës, bërë nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz ju përgjigj se “jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.
Osmani sqaroi se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.
“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani, sipas REL.
Referuar situatës në komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se situata mund të shtensionohet vetëm nëse Serbia ndalë bandat kriminale atje.
Më herët Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri me dije se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.