Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e masakrave të kryera nga forcat e regjimit serb në Pastaselë të Rahovecit dhe Burim të Malishevës, duke nderuar viktimat e këtyre krimeve të tmerrshme.
Osmani theksoi se më 1999, forcat e Serbisë kryen masakra brutale në këto dy fshatra, ku në Pastaselë të Rahovecit humbën jetën 106 civilë, burra, gra dhe fëmijë, ndërsa në Burim të Malishevës, 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë.
Presidentja Osmani theksoi se, edhe pas një çerek shekulli, kujtesa për këto krime të tmerrshme mbetet e gjallë dhe nuk do të zbehet kurrë.
“Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi,” ka shkruar Osmani.