Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për drejtësi për 1133 fëmijët të cilëve në luftën e fundit “iu pre jeta, ende pa e nisur mirë”.
Ajo ka shkruar se 109 fëmijë ende rezultojnë të zhdukur. Sipas Osmanit, fëmijët e vrarë në Kosovë janë thirrja e vazhdueshme e ndërgjegjes për mizorinë ndaj qenieve më të pafajshme në botë.
“Secili emër i tyre na e rrëfen një histori më vete, e të gjithë së bashku jehojnë si thirrje e përhershme për ta kujtuar të kaluarën, ëndrrën e këputur nga e cila lindi dhe po rritet Republika e Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Ajo thotë se bashkë me shtatin e Republikës duhet të rritet edhe vetëdija për themelet e saj, për dhimbjen e përhershme mbi të cilën lindi ajo.
Thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, thotë kryekuvendarja.
“Ne nuk mund të shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes. Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për 1133 fëmijët që i morën nga ne”.