Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot deklaroi se mos miratimi i ndryshimeve kushtetuese mund të çojë në izolim vendin tonë.
Osmani në “Klan Debat” foli për dy skenarë të mundshme çka e presin vendin.
Plani A sipas tij është realizimi i ndryshimeve kushtetuese dhe hapja e kapitujve të klasterit të parë, 23 dhe 24, që parashohin luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit. Pa i eliminuar këto, sipas tij, nuk mund të vazhdojë procesi. Lufta ndaj korrupsionit, sipas tij është edhe kërkesa më e madhe e qytetarëve të vendit.
“Plani B është të mos ketë ndryshime kushtetuese. kjo e fut vendin në një izolim më të gjatë për shkak se në nëntor do të ndërpriten negociatat për ne, do të vazhdojnë për Shqipërinë, në ndërkohë është krijuar një rrugë më e përshpejtuar për anëtarësim në BE, kryesisht për shkak të Ukrainës, por edhe pak për të nxitur dialogun Serbi-Kosovë….”, tha mes tjerash Osmani duke shtuar se vendet e BE-së e kanë kuptuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor
Plani B sipas Osmanit, mund të çojë që vendi të mos integrohet në BE edhe për shumë dekada.
“Vendimi se a do jemi anëtarë të plotë të BE-së deri në fund të kësaj dekade apo nuk do jemi deri në fund të këtij shekulli, unë mendoj se merret në muajt në vijim”, deklaroi Bujar Osmani.