‘Kosova është Europë dhe vatër e energjisë së pashtershme’, kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e mbajtur para deputetëve të Parlamentit Europian.
Osmani u ka kërkuar ndërkombëtarëve që të mbështesin Kosovën në situatën e tensionuar që po kalon me Serbinë dhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave në veri.
Osmani vuri theksin te nevoja për ndërmarrjen e hapave urgjentë për qetësimin e situatës në veri, ndërsa shtoi se “të qëndrojmë të bashkuar kundër terrorizmit, diktaturës dhe gjenocidit”.
“Kam nderin që të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që i drejtohet PE-së. Kosova është Evropë dhe vatër e energjisë së pashtershme.
Është e nevojshme që të ndërmerren hapa për qetësimin e situatës në veri të Kosovës. Qëndroni të palëkundur pranë nesh në këtë situatë që po kalojmë. Të qëndrojmë të bashkuar kundër terrorizmit, diktaturës dhe gjenocidit.
Të qëndrojmë së bashku për prosperitetin dhe pathyeshmërinë”, tha Osmani.
Duke u ndalur te pakicat serbe, Presidentja garantoi se Kosova do bëjë gjithçka që të ndihen të barabartë e të dëgjuar. Prishtina, tha Osmani, është vend kampion për respektimin e të drejtave të qytetarëve të çdo etnie.
“Ne jemi vend i vogël por u treguam të gatshëm për të mbështetur Ukrainën dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kosova është vend kampion për respektimin e të drejtave të qytetarëve të çdo etnie.
Kosova do bëjë gjithçka ka në dorë që pakica serbe të ndihet e barabartë dhe e dëgjuar.
Paqja e qëndrueshme në çdo vend kërkon gjithëpërfshirje”, tha ajo.