Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin kombëtar të Australisë “ABC”, ka thënë se imazhet në Bucha të Ukrainës janë pamje dhe gjëra nëpër të cilat populli i Kosovës ka kaluar në vitin 1998/99.
Osmani ka thënë se këto pamje kthejnë kujtimet e dhimbshme për popullin e Kosovës, që ka qenë viktimë e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, si rezultat i politikave gjenocidale të Millosheviqit.
“Janë kujtime të tmerrshme të së kaluarës sonë, por edhe një kujtim që drejtësia ende nuk është ofruar për viktimat e këtyre krimeve. Ne kemi kaluar nëpër këtë. Kemi qenë refugjatë, kështu që kemi treguar solidaritet dhe jemi shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që ka vendosur sanksione në një vijë me partnerët tanë si SHBA-në, BE-në por edhe Australinë e partnerë tjerë. Jemi siguruar që të marrim masa kundër Rusisë. Ndonëse jemi shtet i vogël, mendoj se gjatë kësaj periudhe të vështirë për kontinentin tonë, duhet bërë gjithë bashkë, pavarësisht i madh apo i vogël”, tha Osmani, transmeton Telegrafi.
Ajo ka folur për pasojat e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se Rusia e ka një satelit, siç është Serbia.
“Është e qartë se për rajonin tonë mund të ketë pasoja në rrafshin e sigurisë. Rusia ka një satelit në regjionin tonë dhe kjo dihet se është Serbia. Ajo i ka shërbyer interesave ruse. Serbia e ka rritur bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me shtetin rus gjatë kohës së fundit. Aq shumë dhe e thellë është bërë ky bashkëpunim sa që është një shqetësim për rajonin që dëshiron paqe, por edhe për partnerët botëror”, tha Osmani
Në pyetjen nëse NATO duhet të ndërhyjë në Ukrainë ngjashëm sikurse kishte bombarduar ish-Jugosllavinë për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë, Osmani ka thënë se nuk është kundërshtari i njëjtë.
“NATO nuk po vepron njëjtë pasi nuk ka përballë një agresor të ngjashëm. Ajo ka përballë Rusinë, një prej fuqive më të mëdha nukleare në botë. Kjo do të thotë se rreziqet janë më të mëdha sesa në ish-Jugosllavi, kur të gjithë u deshëm ta luftonim ‘Kasapin e Ballkanit’, Milosheviqin”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, sa i përket ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës, Osmani tha se Ukrainën duhet ndihmuar më shumë me armatim, e sidomos avionë luftarakë.
“Besoj se Ukraina duhet të ndihmohet më shumë me armatim, sidomos me avionë luftarak sepse ata kanë nevojë që t’i mbrojnë njerëzit e tyre që janë viktima të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Dhe jam e sigurt se Putin që nga fillimi e ka treguar synimin e tij për gjenocid, synimi i tij i tij ka qenë i qartë me thirrjen për ‘de-nazifikim’, gjë që tregonte se ai dëshiron ta shkatërrojë popullin e Ukrainës”, tha presidentja Osmani. /