Connect with us

Kosova

Osmani për DW: Kosova nuk është e izoluar nga partnerët strategjikë

Published

on

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila qëndron këto ditë në Berlin në një intervistë për DW flet lidhur me raportet aktuale ndërkombëtare të Kosovës, procesin e dialogut dhe krijimin e mazhorancës për qeverinë.

DW: Zonja presidente, mirë se vini në Berlin. Ndodhemi 100 metra larg Portës së Brandenburgut, e cila ka simbol të fortë, sepse lidhet me disa momente historike me shumë rëndësi: E para është triumfi në kohën e Prusisë. Pastaj vjen koha e ndarjes së Gjermanisë edhe pastaj vjen koha e lirisë dhe e paqes. Ku është Kosova ose në cilën prej këtyre fazave jemi në Kosovë?

Vjosa Osmani: Kosova natyrisht është në fazën e lirisë dhe paqes. Do të thoja që sfidat në mbrojtjen e lirisë dhe të paqes nuk ndodhin vetëm njëherë. Dhe kjo vërtetohet sidomos në kontinentin europian, ku sfidat e sigurisë janë të mëdha edhe sot, dhe pas pushtimit rus ndaj Ukrainës, ne e kemi parë që të gjithë, sidomos ne që kemi përjetuar luftë dhe që kemi në fqinjësinë tonë shtete agresore, që mbrojtja e lirisë dhe mbrojtja e paqes janë punë të përditshme, nuk përfundojnë me një triumf. Ato duhet vazhdimisht të mirëmbahen, ato duhet vazhdimisht të ushqehen, duhet vazhdimisht të mbrohen me çdo kusht dhe pavarësisht çmimit të lartë që duhet të paguhet, sepse gjithmonë ka forca, të cilat dëshirojnë t’i minojnë këto arritje, pra lirinë, paqen dhe demokracinë, dhe ne duhet si demokraci që jemi, të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e tyre.

DW: Një prej sfidave që keni përmendur janë edhe provokimet që vijnë nga shtetet e rajonit. Ju Serbinë e keni quajtur si dora e zgjatur e Rusisë. Ka pasur vërtet rreziqe konfliktesh, për të cilat ka folur edhe presidenti Trump, mes Kosovës dhe Serbisë?

Vjosa Osmani: Më mirë të them, mes Serbisë dhe Kosovës. E dini që sikur ta thoja këtë para vitit 2023, ndoshta shumë njerëz nuk do ta merrnin edhe aq seriozisht. Mirëpo pas shtatorit 2023, ku Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës, dhe nëpërmjet grupeve terroriste dhe paramilitare të cilët i futi në Kosovë, kishte për qëllim të aneksonte veriun e Kosovës, sipas planeve të Putinit dhe metodave të tij. Tashmë është e qartë që Serbia e ka pikërisht atë qëllim, dhe në arritjen e atij qëllimi Serbia vazhdimisht përdor taktika destabilizuese dhe jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Bosnjë e Hercegovinës dhe shteteve të tjera në rajon. Pra, është e qartë që Serbia vazhdon të jetë shtet agresor, vazhdon të jetë dorë e zgjatur e Putinit, sepse është qëllim i Rusisë dhe ka qenë tradicionalisht dhe historikisht qëllim i Rusisëqë të destabilizohet Ballkani Perëndimor, si mjet destabilizimi për gjithë kontinentin europian. Nuk është që ato gjëra vetëm po i themi, ato gjëra kanë ndodhur në shtator 2023. Pastaj në nëntor 2024. Po po, akt agresioni ka qenë në Banjskë. Në nëntor 2024 ka pasur sulm në Ibër Lepenc, mirëpo qëllimi ka qenë që të shkatërrohen mjetet jetike nëpërmjet të cilave Republika e Kosovës furnizohet me ujë, me energji elektrike, me ngrohje e të tjera dhe nëpërmjet kësaj të dëshmohet se përdoren edhe metoda hibride të sulmeve ndaj Kosovës, jo vetëm ajo ushtria tradicionale që ne e kemi parë në vitet 90-të. Serbia vazhdimisht i provon këtu. Ka pasur tendenca destabilizimi edhe sivjet në pranverë, me ndihmën e aleatëve tanë i kemi parandaluar. Tani ka shumë që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka ngjarë. Unë i kam lexuar raportet e institucioneve tona, e di çfarë ka synuar Serbia, e di çfarë ka synuar.

DW: Por as ju me siguri, nuk jeni e hapur të flisni për këto…

Vjosa Osmani: Po këto janë çështje, të cilat janë të rregulluara me ligj dhe kur informacionet janë të klasifikuara, ne e kemi për detyrë. Natyrisht unë si presidente kam të drejtë të deklasifikoj informacione, mirëpo mendoj që nuk është e drejtë që t’ia vështirësojmë punën institucioneve tona të sigurisë. Ato duhet të vazhdojnë të mbledhin informata, ato duhet të vazhdojnë të jenë të gatshëm që të na informojnë neve si institucione, por edhe aleatët tanë në mënyrë që të parandalojmë çdo tendencë destabilizuese të Serbisë.

DW: Megjithatë, kur jemi tek raportet me Serbinë, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, të gjithë kanë kërkuar vazhdimin e dialogut edhe arritjen e një marrëveshjeje. Mendoni se vërtetë është e mundur arritja e marrëveshjes me Serbinë në këtë konstelacion forcash politike?

Vjosa Osmani: Në Kosovë, forcat politike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë pengesa për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila fokusohet në njohje të ndërsjelltë. Pra, kurrë problemi nuk ka qenë në Kosovë. Pavarësisht cilat forca politike e kanë udhëhequr Kosovën, gjithnjë Kosova gjatë tërë dialogut nga viti 2010 e tutje, kanë qenë shumë konstruktive në procesin e dialogut. Nuk ka qenë Kosova që e ka bllokuar. Forcat politike të Serbisë janë problem. Unë nuk kam shpresa të mëdha. Natyrisht, ka njerëz në Bashkimin Europian që besojnë se Vuçiçi do të tregohet konstruktiv. Unë nuk kam aspak besim që nga ky njeri mund të pritet konstruktivitet, sepse e ka dëshmuar që është i interesuar për dhunë dhe destabilizim dhe është i interesuar që ta kthejë jo vetëm Kosovën, por ta kthejë gjithë rajonin tonë mbrapa në vitet 90-të.

Natyrisht ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ama, nëqoftëse shihni numrin e marrëveshjeve që Serbia i ka nënshkruar në dialogun e Brukselit, mbi 2/3 nuk i ka zbatuar kurrë. Marrëveshja e fundit, propozimi gjermano-francez, i cili pastaj u bë propozim i Bashkimit Europian, është ofruar që të nënshkruhet nga Kosova, mirëpo nuk është pranuar nënshkrimi i asaj marrëveshjeje nga Serbia. Pra, këtu dihet qartë se kush po e bllokon procesin. Dhe të kthehemi te pyetja juaj, që SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë që të rikthehemi në dialog. Kosova nuk ka asgjë kundër dialogut. Kosova i përgjigjet çdo thirrjeje për të marrë pjesë në dialog dhe ne jo vetëm që marrim pjesë, por ne dhe i pranojmë marrëveshjet duke mos shkelur sovranitetin e Kosovës, por duhet ditur që ato marrëveshje kanë kompromise në to dhe kanë kosto të lartë politike, megjithatë janë marrëveshje që janë pranuar nga Kosova, por është Serbia ajo që e ka bllokuar procesin gjithnjë.

DW: “I pranojmë marrëveshjet”, thatë ju. E pranoni dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?

Vjosa Osmani: Marrëveshja e cila quhet propozimi gjermano-francez, që pastaj ka pasur edhe aneksin e “Ohrit”, ndër të tjera parasheh në nenin 7 dhe në nenin 10, edhe një gjë të tillë. Mirëpo si presidente e vendit, në asnjë mënyrë nuk pranoj asnjë Asociacion që jep kompetenca ekzekutive për komunat serbe dhe asnjë Asociacion që do të binte ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pakoja e Ahtisarit dhe kushtetuta e Kosovës lejojnë bashkëpunimin ndërmjet komunave. Një bashkëpunim i tillë do të ishte në rregull, ama jo një bashkëpunim që i jep kompetenca ekzekutive një entiteti të ri, i cili del jashtë sistemit tonë kushtetues, sepse ai është i rrezikshëm dhe propozimi aktual, draft-statuti aktual që ishte propozuar nga zoti Lajçak në atë kohë, për fat të keq i përmban disa dispozita të cilat, si vlerësim i imi si presidente e vendit, janë edhe në kundërshtim me kushtetutën, edhe në kundërshtim me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

DW: Prandaj ju pyeta dhe për dialogun, sepse Kosova është një vend i izoluar për momentin. Ju po i quani masa, dikush i quan ndryshe. Çfarë do të bëni ju për heqjen e izolimit të Kosovës? Sepse dhe Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë dialogun strategjik, ose më mirë të them, procesin. Si e shihni ju pozitën e sotme diplomatike dhe ndërkombëtare të Kosovës?

Vjosa Osmani: Ky është jo vetëm një konstatim totalisht i gabuar, por është një konstatim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Dhe për dallim prej konstatimit tuaj që Kosova kinse qenka vend i izoluar, dhe që nuk keni fare argumente për një gjë të tillë, unë kam me mijëra argumente pse Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura sesa në çdo periudhë tjetër. Ma gjeni një periudhë tjetër ku Kosova është ftuar në secilin forum ndërkombëtar. Unë si presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme: nuk ka organizim ndërkombëtar ku nuk kam qenë e ftuar për t’i dhënë zë Kosovës dhe për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës, përfshirë edhe në samitin e NATO-s, ku Kosova kurrë në histori nuk ka qenë më parë e ftuar. Nëqoftëse ke çdo derë hapur, në qoftë se ke besimin dhe përkushtimin e secilit lider shtetëror, nuk po flas tani për shtete si Rusia dhe armiqtë e Kosovës, po flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po flas për Gjermaninë, po flas për Francën, po flas për shtetet në kontinente të largëta, me të cilat asnjë president tjetër paraprak nuk ka ndërtuar marrëdhënie të afërta, dhe në qoftë se udhëheqësja e politikës së jashtme të Kosovës ka arritur që të jetë e pranishme deri në këtë masë, si mund të quhet Kosova shtet i izoluar?

Sa i përket dialogut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë edhe në intervistë, që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht kanë treguar publikisht që do ta vazhdojnë bashkëpunimin me presidenten e Republikës së Kosovës dhe ne këtë partneritet po e vazhdojmë. Në fushën e mbrojtjes, si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës, jam siguruar që asnjë projekt në fushën e mbrojtjes mos të ndërpritet me Shtetet e Bashkuara dhe po e vazhdojmë në përmasa që nuk ka qenë më herët.

DW: Të kthehemi tek e diela. Çfarë prisni nga seanca e ardhshme e parlamentit të Kosovës? Do të ketë qeveri ditën e diel, apo jo? Dhe cili është qëndrimi juaj ndaj të gjithë procesit që po zhvillohet rreth krijimit të qeverisë?

Vjosa Osmani: Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje. Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëqoftëse nuk krijohet shumica.

DW: Pyetja e fundit, zonja presidente, ku e shihni ju Vjosa Osmanin pas prillit?

Vjosa Osmani: Unë nuk mendoj asnjëherë se ku do të jetë Vjosa Osmani. Mendoj gjithmonë vetëm se ku do të mbetet Republika e Kosovës dhe nëqoftëse populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për republikën tonë, atëherë do të vazhdoj ta jap atë kontribut. Nëqoftëse qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të më shohin duke dhënë kontribut në politikë, unë gjej mënyra të tjera për të kontribuar për shtetin tim. Me rëndësi është që unë do të vazhdoj të jem në Republikën e Kosovës, duke dhënë kontribut qoftë profesional, qoftë politik./DW/ 

Continue Reading
Advertisement

Kosova

Ndërron jetë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci

Published

on

By

Ka ndrruar jetë Nexhat Daci, akademik dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës njoftoi se Daci vdiq më 1 janar në moshën 81-vjeçare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në politikë dhe shkencë.

“Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”, shkroi e para e shtetit në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha, çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.

“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.

Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

Në periudhën kur udhëhoqi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj më 2006.

Pas ndasive me LDK-në, Daci e themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i kësaj partie.

Kush ishte Nexhat Daci?

Nexhat Danci u lind më 26 korrik në Tënoc më 1944, ku përfundoi shkollimin fillor. Atë të mesëm e kreu në Leskoc, ndërkaq studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e ki­misë) në Beograd më 1966. U doktorua më 1973 në Universitetin e Zagrebit, ndërkaq studimet e posdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit më 1974.v

Pas përfundimit të magjistraturës, më 1968 ai nisi punën si asistent në Fakultetin Filozofisë në Katedrën e Kimisë. Më 1971 vazhdoi punën si ligjërues e më pas edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë punës akademike ai ka marrë pjesë në disa studime shkencore, kongrese e konferenca në mbarë botën. Ka qenë anëtar i Shoqatës Kimike amerikane që nga viti 1985 dhe i disa institucioneve të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, pjesë e Akademisë së Shkencave të Kosovës u bë më 1993 .

Continue Reading

Kosova

Zgjedhjet në Kosovë, minus 52 mijë vota, si shpjegohet rënia e LDK-së?

Published

on

By

Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.

Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.

Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.

Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.

LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”

Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.

Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.

LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.

“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.

Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.

“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.

Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.

Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.

Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.

“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.

Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.

“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.

Ku shkuan votuesit e LDK-së?

Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.

Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.

Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.

“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.

Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.

“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.

E ardhmja e mundshme e LDK-së

Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.

Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.

Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.

“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.

Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.

Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.

“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.

Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.

Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë./REL

Continue Reading

Kosova

Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.

Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.

Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.

Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.

Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.

Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Continue Reading
LIVE ALBUK TV
ALBUK TV LIVE
Albania2 days ago

“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë

UK4 days ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania4 days ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania6 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

UK2 days ago

Vizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim

UK6 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Sports4 days ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Bllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë

Albania4 days ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania3 days ago

Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …

UK4 days ago

Bashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së

Bota4 days ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK3 days ago

Britania marrëveshje me Angolën dhe Namibinë për kthimin e emigrantëve

Bota5 days ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Albania4 days ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Trending