Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur sot në konferencën “Java e Gruas”, e cili organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik.
Osmani në një paraqitje para të pranishmeve tha se Java e Gruas ka qenë ndër platformat e para që i ka dhënë zë.
“Ka disa momente që nuk kërkojnë fjalë, të paktën jo shumë fjalë, por kërkojnë të vërtetën dhe ky është një prej tyre. Java e Gruas ka qenë ndër platformat e para që më ka dhënë zë, ndër vendet e para që më ka mundësuar të flasë çdoherë kur zëri im tentohej të ndalej”, tha ajo.
Ajo këtë paraqitje e quajti të veçantë, pasi tha se është në fund të mandatit, kur disa gjëra bëhen më të qarta e disa marrin peshë më të madhe, raporton Telegrafi.
E para e shtetit tha se gjatë këtyre viteve ka pasur privilegjin të takojë gra që nuk janë përkufizuar nga kufijtë që u janë vendosur, por nga horizontet që vet ato i kanë hapur.
“Kur gratë vendosin të ecin përpara për një shoqëri të tërë, historia dhe askush tjetër nuk ka më fuqi t’i mbajë peng… Pesë vite më parë kur mora detyrën si presidente, nuk e pash si kulm të rrugëtimit tim, por ishte një fillim, ishte ai moment kur fillojë përgjegjësia më e lartë. Sepse kalimi nga përfaqësimi në përgjegjësi është një nga proceset më të vështira në politikë, sepse aty përfundon simbolika dhe fillon pesha reale e vendimeve. E në këtë kisha një detyrim të qartë, që pushteti të mos jetë privilegj, por vetëm shërbim”, tha ajo.
Osmani tutje theksoi se gjatë këtyre viteve vendi ka pasur përparim dhe se është dëshmuar se lidershipi me integritet nuk është dobësi, po standard.
“…Çdo përparim ka edhe një kundërpeshë. Dhe koha e fundit e ka dëshmuar këtë. Në javët e fundit puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën dhe llogaridhënien. Është diçka tjetër, shumë më e ftohtë e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekje për ta zhveshur një njëri nga dinjiteti i tij njerëzor, për ta kthyer në objekt, për ta krahasuar me kafshët më të egra, për të zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara”, tha ajo.
Sipas saj, këto imazhe krijohen për të lënduar dhe shkatërruar vlera njerëzore, gjersa shtoi se aq shumë përsëriten këto gënjeshtra sa dikujt mund t’i duken të vërteta.
“Për këtë arsye duhet të flasim, por jo si viktima, por si mbrojtëse të demokracisë”, tha ajo.
Tutje Osmani tha se kur propaganda e kthen këdo në tradhtarë brenda natës, demokracia është në rrezik.
“Kur propaganda mund ta kthej këdo në tradhtarë brenda natës, kur e vërteta më nuk ka asnjë rëndësi kur dinjiteti shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është rrezik”, u shpreh ajo.
Pos tjerash, ajo kërkoi përgjegjësi ndaj atyre që shfrytëzojnë teknologjinë për propagandë.
“E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi busullën morale. Mirëpo, kjo nuk është luftë ndaj një personi, është mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua e vajzë që do të hyjë në jetën publike dhe politike”, u shpreh e para e vendit.
Sipas saj, kjo është një mesazh që thotë se për gratë në politik ky është çmimi që duhet ta paguajnë.
“Pikërisht për këtë arsye kjo s’është çështje personale, është çështje e demokracisë. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha, dobësohet kur e vërteta goditet dhe bëhet e parëndësishme, kur shpifja bëhet mjeti kryesor, kur dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë”, tha ajo.


