Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së mediumit Klan Kosova, të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë.
Në reagimin e saj, presidentja ka thënë se po pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.
Osmani tutje ka deklaruar se promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit të Kosovës.
“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”, thuhet në deklaratën e presidentes.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.