Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka marrë shkresën zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me rezultatet e certifikuara nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Presidentja ka 30 ditë kohë për të thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit, por ajo ka thënë se ende nuk ka një datë të saktë se kur do ta thërrasë, por se “shumë shpejt do ta kemi”.
“Ka ardhur shkresa zyrtare nga ana e KQZ-së në Presidencën e Kosovës, ku njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tani është një afat ligjor e kushtetues prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive. Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për përgatitjen e kësaj seance”, ka thënë ajo në një deklarim për gazetarë pas përfundimit të ceremonisë së betimit të ushtarëve të FSK-së në Ferizaj.
KQZ-ja të enjten, 27 mars, votoi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.