Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani sot në pesë vjetorin e anëtarësimit të RMV-së në NATO ka akuzuar koalicionin VLEN se po e qon vendin në një drejtim të rrezikshëm.
“Pesë vite më parë, më 27 mars 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s, duke përmbushur një objektiv strategjik të kahershëm të shtetit tonë.
Ky ishte momenti kur e ardhmja jonë u vulos krah për krah me botën perëndimore, në një aleancë që garanton siguri, stabilitet dhe prosperitet për qytetarët tanë.
Ky ishte rezultati i një angazhimi të gjatë dhe një zgjedhjeje të qartë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike.
Por sot, pesë vite pas këtij momenti historik, ata që duhej ta forconin këtë orientim e kanë shndërruar në një rrugë të pasigurt.
VLEN po e çon vendin në një drejtim të rrezikshëm, duke e larguar nga partnerët strategjikë dhe duke e afruar me interesa kinezo-ruse që veprojnë përmes lojtarëve rajonalë”, shkruan Osmani në profilin e tij në Facebook.
Ai thekson se në vend të fuqizimit të pozicionit tonë në NATO dhe BE, shohim një qasje që po e lë vendin të ekspozuar ndaj ndikimeve që bien ndesh me interesin tonë kombëtar.
“Ky nuk është destinacioni që zgjodhën qytetarët. NATO nuk është thjesht një anëtarësim në letër, por një angazhim i vazhdueshëm për ta mbrojtur rrugën tonë drejt demokracisë dhe stabilitetit. Ne mbetemi të palëkundur në orientimin tonë euro-atlantik”, shton Osmani.