Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se do të kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale gjatë muajit gusht atëherë edhe kur pritet t’i vazhdohet mandati edhe për pesë vjet të tjera kësaj gjykate.
Ai ka thënë se nuk e kanë pritur se do të ketë aktakuzë ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit, sidomos ndaj këtij të fundit, i cili as që është ftuar për intervistë, sipas Gucatit.
“As që e kemi menduar që sot do të ketë aktakuzë. Sidomos jo për presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin, nuk e kemi pritur. Thaçi ka qenë kupola e UÇK-së, ai nuk ka qenë i ftuar as në intervistë, kurse Veseli ka qenë i ftuar në intervistë, prandaj nuk e kemi pritur. Në listën tonë, 200 e disa persona, mbi 64 për qind janë në cilësinë e dëshmitarit, të tjerët janë të dyshuar. Thaçi s’ka qenë i ftuar kurrë, ne e kemi pyetur dhe ai ka thënë se nuk është ftuar. Të paktën ne s’kemi informacione dhe e kemi pyetur personalisht atë dhe ai na ka thënë se nuk e kanë ftuar”, ka thënë Gucati.
Ai thotë se një gjë e tillë është keq edhe për imazhin e Kosovës, pasi bëhet fjalë për presidentin e vendit, megjithatë ai nuk beson se do të bjerë imazhi i Kosovës.
“Nuk besoj se do të bie imazhi i Kosovës. Ne e dimë se nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pjesëtarët e ushtrisë, pretendimet e raportit të Dick Martyt. Kur them nuk humb imazhi i Kosovës, e them sepse këto nuk janë të faktuara”, ka thënë Gucati.
Ai ka shtuar se kanë shumë dëshirë që të zbulohen vrasjet politike, e një gjë të tillë, sipas tij, e dëshirojnë edhe Veseli e Thaçi.
“Dëshira më e madhe e jona është që të zbulohen vrasjet e pasluftës, kjo është edhe dëshira e Veselit dhe e Thaçit. Aktakuza është ngritur në bazën e dyshimeve”, ka thënë ai.
Sipas tij Gjykata Speciale të mërkurën ka bërë dy shkelje.
“Besoj se Gjykata Speciale ka bërë shkelje me publikimin e emrave të këtyre dyve, dhe shkelja e dytë është se ku e gjet bash sot të ngritë një aktakuzë kur këta kanë pasur të shkojnë në Washington. Kjo është më shumë Gjykatë politike, se sa të nxjerrë diçka prej këtyre krimeve të pretenduara. Prapë nuk besoj se Thaçi ka tentuar të ndërhyjë në drejtësi kur ai ka qenë sponsorizues të saj. Mendoj se nuk është ndërhyrje në drejtësi, kur ai ka qenë sponsorizues bashkë me LDK-në në koalicion. Besoj se Thaçi ka dashur të heqë në njollë prej UÇK-së. Kjo është një goditje shumë e fortë që i është dhënë UÇK-së. Ne i kemi kapërcyer tre filtra dhe kemi dalë fitues, si Haradinaj, Limaj e të tjerëve”, ka thënë Gucati.
Ai i ka quajtur absurde pretendimet për 100 vrasje.
“Besoj se më shumë janë trillime nga individë të caktuar. 100 vrasje dikush i kish diktuar ato, kjo është absurde. Kjo Gjykatë është dashur të jetë vendore, me mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve”, shprehet ai.
Ai thotë se Thaçi ka bërë një hap shumë të mirë që nuk ka shkuar sot në Washington dhe një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Hoti.
Sipas tij, Evropa ka dashur që ta kushtëzojë Thaçin me një veprim të tillë.
“Evropa me siguri ka dashur të bëjë kushtëzime ndaj Thaçit. Të shkojë si presidenti i vendit për ne është më keq për shkak të imazhit. Thaçi do të dijë të analizojë këtë punë se a do të jetë si president apo jo. Nesër kthehet në Prishtinë nga Vjena, dhe nuk do të shkojë në Washington”, ka thënë ai.
Ai thotë se nuk do të dalin në protestë, por edhe nëse dalin do të jetë paqësore.
“Nuk besoj se do të dalim në protestë, nuk lejojmë që të dalim të gjuajmë me gurë institucionet tona. Fajtorë janë ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, por edhe nëse dalim do të jemi paqësorë. Ne tani nuk mund të ndalojmë këto aktakuza. Nuk e përjashtoj mundësinë për protesta, por kjo varet nga Këshilli drejtues. Luftë të pastër nuk ka askund, por luftë të drejtë, dhe ne kemi bërë luftë të drejtë”, ka thënë Gucati.
Gucati theksoi se po shikojnë mundësitë që kanë për të shfuqizuar Specialen.
“Në gusht bëhen 5 vjet të Gjykatës Speciale, dhe pritet t’i vazhdohet mandati. Ne do të kërkojmë prapë se qysh mund të arrihet deri te ndalesa e Gjykatës Speciale apo të shfuqizimit. Do të bisedojmë edhe me juristë, kemi edhe një kompani angleze që na ndihmon. Do të ulemi dhe të bisedojmë me grupet parlamentare. Nënshkrime nuk do të bëjmë më për arsye se do të diskutojmë me deputetët”, ka thënë Gucati.