Projekti për rifillimin e Premier Leagues ka marrë shtytje të madhe të shtunën kur është publikuar rezultati i testimeve të fundit për koronavirus.
Në valën e katërt të testimeve janë testuar 1130 lojtarë dhe pjesëtarë të klubeve. Nuk është paraqitur asnjë rast pozitiv dhe kjo ka rritur besimin për rifillim më 17 qershor.
“Premier League mund të konfirmojë sot se të enjten dhe të premten 1130 lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të klubeve janë testuar për COVID-19. Prej tyre asnjë nuk ka rezultat pozitiv”, thuhet në komunikatë të Premier Leagues.
Në raundin e kaluar të testimeve dolën katër pozitivë. Në raundin e dytë ishin dy pozitivë ndërsa në raundin e parë të testimeve ishin gjashtë raste.
Lajmi i shumëpritur vjen në ditën kur qeveria britanike ka dhënë leje që sporti të rifillojë prej 1 qershorit, pa shikues në tribuna.