Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ka marrë konfirmimin për mbështetje nga Çekia dhe se lajmet për mundësinë e çnjohjes nga ky vend nuk janë të sakta.
Presidenti çek, Millosh Zeman, dje në Beograd i tha homologut të tij serb, Aleksander Vuciq, se nuk e do Kosovën dhe se Republika Çeke do ta tërheqë njohjen e saj.
Pacolli përmes një postimi në Twitter thotë të ketë marrë mbështetje nga ministrit i Punëve të Jashtme Tomáš Petříček.
“Republika Çeke sot përmes Ministrit të saj të Punëve të Jashtme Tomáš Petříček ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe integrimin e saj në BE, NATO dhe Organizata Ndërkombëtare. Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”, ka shkruar Pacolli.
Kryediplomati kosovar thotë se nuk ka asnjë cnohje të pavarësisë së Kosovës.
“Nuk ka asnjë ç’njohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Unë i jam mirënjohës homologut tim Ministrit të Jashtëm Tomáš Petříček për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”, ka shtuar ai.