Në valën e lartë të emigracionit të të rinjve, pagat e ulëta por mungesa e punësimit janë disa nga arsyet që i bëjnë të rinjtë të largohen jashtë vendit, duke lënë në vështirësi shumë sektor të ekonomisë shqiptare. Një sërë profesionesh të munguara prej vitesh si në bujqësi apo blegtori janë në rrezik sipas ekspertëve të ekonomisë, të cilat edhe mund të zhduken nga braktisja gjithnjë e më shumë nga të rinjtë.
“Kemi nevojë për profesionin e agronomitë, të zooteknikut, të peshkimit, inxhinieri pyjesh, burime natyrore dhe janë profesione që ka nevojë Shqipëria. Dhe si të tilla qeveria shqiptare mori një vendim ku çdo i ri që vendos të aplikojë për të studiuar në këto programe pavarësisht mesatares, përfiton një mbështetje financiare sa paga minimale dhe përjashtohet edhe nga pagesa e tarifës. Ti nuk paguan për t’u shkolluar por paguhesh për t’u shkolluar.”, shprehet rektori i universitetit bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku.
Përballë dilemës së të rinjve për një punë të mirë në këto sektor, rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku thotë se studentët e degëve prioritare arrijnë të punësohen deri në 3-4 javë pas diplomimit, teksa edhe listoi një sërë institucionesh që i kanë ende të hapura kërkesat punësim.
“Unë ju konfirmoj që sot që ne flasim, një ndër autoritetet më të rëndësishme që është Autoriteti për Mbrojtjen e Bimëve dhe Veterinarinë, aktualisht janë 45 vende pune të lirë, të mos harrojmë pa përmendur dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Drejtorinë e Pyjeve, ISUV, AKU që janë të gjithë staf i diplomuar nga Universiteti Bujqësor”, thekson rektori.
Numri i programeve të studimit të shpallura me prioritet kombëtar ka pësuar rritje nga 35 në 40, ndërsa universitetet publike ngrenë alarmin mbi zhdukjen e disa profesioneve shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit.