Një sulm i mundshëm nga terroristët iranianë në Mbretërinë e Bashkuar është parandaluar vetëm disa orë para realizimit të tij, falë një operacioni të gjerë të forcave speciale dhe policisë britanike.
Policia dhe MI5 në dy aksione të ndara, ka arrestuar tetë burra, mes të cilëve 7 shtetas iranianë, të dyshuar për përgatitjen e një sulmi të mundshëm në Londër dhe aktivitete spiunazhi.
Operacionet u zhvilluan në qytete të ndryshme, përfshirë Londrën, Rochdalen, Stockportin, Swindon dhe Mançesterin. Pesë nga të arrestuarit janë kapur nën aktin e Terrorizmit, ndërsa tre të tjerë janë arrestuar për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare.
Një nga arrestimet në Rochdale u pasua nga një aksion spektakolar, ku një 40-vjeçar iranian u nxor nga shtëpia e tij nga forcat e armatosura.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, e cilësoi operacionin si një nga më të rëndësishmit të viteve të fundit, duke theksuar se këto arrestime reflektojnë kërcënimin e rritur nga shteti iranian në Mbretërinë e Bashkuar.
“Sulmet e synuara të së shtunës pasqyrojnë disa nga kërcënimet më të mëdha kundër-shtetërore dhe operacionet antiterrorizëm që kemi parë vitet e fundit”, tha Cooper.
E pyetur për lidhjet e mundshme me shtetin iranian, ajo tha: “Këto janë operacione të mëdha dhe hetimi në vazhdim është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe, sigurisht, përfshin shtetas iranianë në të dy hetimet. Por kjo pasqyron kompleksitetin e llojeve të sfidave për sigurinë tonë kombëtare me të cilat vazhdojmë të përballemi”.
Kreu i MI5, Sir Ken Mccallum, ka paralajmëruar për një rritje të shpejtë të aktiviteteve të mbështetura nga Irani që nga viti 2022, duke përfshirë 20 plane sulmesh të mundshme që kanë kërcënuar jetën e gazetarëve dhe disidentëve iranianë në Britani.
“Kemi parë komplot pas komploti këtu. Irani përdor ndërmjetës kriminalë, nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës deri te mashtruesit e nivelit të ulët, për të kryer punën e tij të ndyrë në Mbretërinë e Bashkuar”, paralajmëroi në tetor, Sir Ken.
Aktualisht, niveli i kërcënimit terrorist në Mbretërinë e Bashkuar është “i konsiderueshëm”, që do të thotë se një sulm është i mundshëm, sipas vlerësimit të MI5.
Arrestimet ndodhën vetëm disa ditë para ngjarjeve përkujtimore në Londër për të shënuar 80-vjetorin e Ditës së Fitores, megjithëse burimet theksuan se nuk ishte kjo festë objektivi i synuar.