Një mrekulli e vërtetë e kapur në kamera. Një polic në një stacion metroje në Nju-Jork shpëtoi të enjten, në Ditën e Falënderimeve, një burrë që kishte ngecur në shinat e trenit, vetëm pak momente para se treni të kalonte aty.
CNN raporton se dy efektivët po inspektonin platformën kur udhëtarët në krahun tjetër i bënë shenjë se një burrë kishte rënë në shina. Ata vrapojnë për të ndihmuar burrin dhe vetëm pak sekonda pasi arrijnë ta nxjerrin lart, të ndihmuar edhe nga një udhëtar tjetër, treni mbërrin në stacion. Burri u dërgua në spital por doli shpejt pasi kishte vetëm lëndime të vogla.
Nuk ka informacion nëse burri kishte rënë vetë aty, apo e kishte shtyrë dikush. Muajt e fundit, krimet e këtij lloji, ku njerëz të ndryshëm shtyhen nga të panjohur në shinat e trenit janë rritur ndjeshëm në Nju-Jork, qytet që ka një prej rrjeteve më të mëdha nëntokësore të metrosë.
Shifrat e kriminalitetit në qytet janë rritur ndjeshëm, me 38% nga viti 2021 në 2022 dhe kjo ka bërë që Guvernatorja Kathy Hochul të urdhërojë shtimin me 1200 efektivë të grupeve që patrullojnë vetëm në metro.