Interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor janë të qëndrueshme dhe strategjia e tyre ndaj këtyre vendeve në thelb ka mbetur e pandryshuar.
Matthew Palmer, zv.ndihmëssekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tha sot, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, se nën administratën e re të presidentit Biden mund të pritet një vazhdim i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, për një partneritet të fortë dhe të qëndreshëm me SHBA.
“Politika amerikane, angazhimi amerikan, strategjia amerikane në Ballkanin Perëndimor, ka qenë në thelb e qëndrueshme nga administrata në administratë. Kjo sepse interesat amerikanë janë konstante,” vuri në dukje Palmer.
“Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet europiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin,” tha Palmer.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA do të do të inkurajojnë qeverinë e re, që t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian dhe punën e Miroslav Lajçakut si Përfaqësues i Posaçëm për Bashkimin Evropian,” tha Palmer.
“Nëse mund të ketë normalizim dhe ripajtim Serbi-Kosovë, unë do të thosha se kjo është gjë e mirë për të gjithë në rajon”, përfundoi Palmer.